Në fillim të vitit 2018 Drejtoria e Urbanizmit kishte ndërprerë procedurat për lëshimin e lejeve e ndërtimore, ndërsa në verën e vitit 2019 kryetari i Ferizajt pati marrë vendim që të pezulloj të gjitha lejet ndërtimore, saktësisht për objektet e banimit kolektiv, si masë efektive e cila, siç thuhej, do të mundësonte mirëplanifikimin e territorit dhe ndërtimet sipas kritereve dhe standardeve më të larta në këtë fushë. Mirëpo, këto vendime, sipas drejtorit të Urbanizmit Lulzim Aliu, edhe pse të kundërligjshme, ishin marrë me qëllim që të ndalojnë sado pak kërkesat e shumta për ndërtime.
“Ajo ka qenë një masë, një preventivë për me e ndalë vrullin e kërkesave për ndërtim, sepse duke e pas parasysh që PZHK-ja është një plan që nuk po na jep mundësi dhe kushte të mira të zhvillimit të qytetit, ka qenë një pretendim i yni që sado pak me u ndalë vrulli derisa të bëjmë disa rregulla dhe norma të cilat pos që do të zbatohen mirë, i japin edhe orientim qytetit. Sigurisht ne me ligj e kemi të ndaluar me bë ndalimin e lejeve ndërtimore, kanë vazhduar kërkesat për leje ndërtimore me një intensitet më të ulët dhe kemi shkuar dalëngadalë duke e bë orientimin e këtyre kërkesave dhe duke ua mbushur mendjen ndërtimtarëve që në formën se si ka shkuar nuk bën, me kushtet e ndërtimit që janë ndërtu në vitin 2017-2018 nuk bën sepse ata që kanë me ardhë pas nesh do të na shajnë. Ne duhet me u pajtu me fatin që e kemi një dokument të keq, por duhet me pas kurajo me prit edhe pak deri t’i bëjmë disa norma e plane detaje për qytetin”, tha Aliu.
Drejtori i Urbanizmit, thotë se po bëjnë përpjekje t’i japin orientimin e duhur qytetit përmes hartave zonale, por një gjë të tillë, sipas tij, po ua pamundëson Plani Zhvillimor Komunal.
“Është koncept në krejt Kosovën që hartat zonale që janë rrjedhim i planit zhvillimor komunal me u bë në këtë formë, unë nuk po mundem me u pajtu që hartat zonale me dhënë detaje për secilën parcelë, por hartat zonale duhet me qenë harta që na japin zona të caktuara, orientime të caktuara për zhvillimin e qytetit. Janë përpjekjet e fundit që jam duke i bë tash për me ia dhënë formën orientimit të qytetit. Është i rëndë orientimi i qytetit, pastaj problemi tek këto dokumente është se unë nuk po mundem me u pajtu që me qit një dokument me miratu kur krejt drejtorët e drejtorive e kanë të paqartë këtë dokument, ky dokument është multi-sektorial dhe një drejtor tjetër duhet me pas të qartë këtë dokument, me pas të qartë se çfarë synime ka komuna për 8 vite, gjë që nuk kuptohet. Është keq që po na bie me u anku vazhdimisht, por unë jam duke bërë luftën për me pas një dokument më të mirë, jam i pakënaqur, por megjithatë tash kur e kemi obligim ligjor duhet me përfundu, unë nuk do ta mbaj barrën e përgjegjësisë nëse del me gabime, sepse me gjoks nuk po shtyhet”, tha Aliu.
Drejtori i Urbanizmit tha se aktualisht janë duke lëshuar leje ndërtimore përmes ligjit të ndërtimit dhe normave teknike, meqë planet rregullative nuk janë në fuqi.
Tani në qytetin e Ferizajt ndërtimtarët janë duke ndërtuar me koeficientin 7, që i bie se ndërtuesit mund të ndërtojnë mbi 10 kate në kuadër të lejes së ndërtimit që e marrin.