1 shtatori është afër mirëpo
Ministria e Arsimit ende nuk ka dalë me një vendim të prerë se si do të
zhvillohet procesi mësimor në këtë kohë pandemie. Megjithatë, Drejtoria e Arsimit
në Ferizaj është duke i bërë përgatitjet për kthimin e nxënësve në
objektet shkollore.
Drejtori i kësaj drejtorie Afrim
Llabjani, tha se sot ka filluar dezinfektimin e godinave shkollore, ndërsa
nesër do të furnizohen edhe me tekste.
“Jemi në përgatitje e sipër, pastrimi i shkollave, lyerja e tyre,
renovimin e kemi bërë, tani jemi në pritje
për të bërë edhe dezinfektimin, për t’i pajisur shkollat edhe me
mjete higjienike që iu duhen dhe mos të kemi telashe sa i përket Covid-19.
Po ashtu, ditën e sotme ne do t’i marrim edhe disa postera për t’i vendosur
në hyrje të shkollave që nxënësit ta kenë më të qartë respektimin e
masave. Po ashtu, edhe në takim me drejtorët që kemi pasur kemi diskutuar që
duhet të shtohet niveli i përgjegjësisë apo i kujdesjes më të madhe sa i
përket masave anti-covid, kjo ka të bëj me ruajtjen e distancës, mënyra e
organizimit të klasave, renditja e bankave, ndarja e grupeve të nxënësve,
por do të bëjmë edhe shenjëzimin në oborre të shkollave për mbajtjen e
distancës që po besoj se do të përfundoj këto ditë”, tha Llabjani.
Drejtori i Arsimit në Ferizaj, tha
se janë duke planifikuar që në ato
shkolla ku ka numër më të vogël të nxënësve të nisë procesi mësimor i
rregullt në të gjitha nivelet nga ai parashkollor deri në klasë të nëntë.
”Ne në takimin që kemi pasur me drejtorë të shkollave kemi vlerësuar
se kemi një numër të shkollave të
cilat nuk kanë numër të madh të nxënësve nëpër klasë dhe kështu kemi
llogaritur që në disa shkolla të kthehet komplet nga niveli parashkollor
deri në klasën e nëntë, ndërsa aty ku kemi më shumë se 20 nxënës në
klasë të ndahen në grupe, por kjo do të planifikohet nga vet shkollat
gjithmonë duke respektuar masat anti-covid . Është dhënë edhe ideja që
të fillohet parcialisht, klasat 1, 2 dhe 3, pastaj pas një jave të
zhvillohet me nivelet e tjera, por ne jemi në pritje të një vendimi nga Qeveria e Kosovës”, tha Llabjani.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës,
Ramë Likaj, në një takim që ka pasur
dy ditë më parë me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hotin, ministrin e
Shëndetësisë Armend Zemaj dhe kryetarët e komunave, edhe pse nuk kanë dalë
me një vendim përfundimtar, ka thënë se janë dakorduar që viti shkollor
për fazën e parë të fillojë më 1 shtator, ku bankave do t’iu kthehen
parashkollorët, klasat e para, të dyta, të treta, të gjashta dhe të
dhjeta, ndërsa faza e dytë të fillojë më 7 shtator, për klasat e katërta
dhe të pesta, ndërsa faza e tretë e mësimit të fillojë më 10 shtator
për klasat shtatë, tetë, nëntë, njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë. Ministri Likaj ka ripërsëritur se mësimi
do të zhvillohet sipas skenarëve të prezantuar dhe nivelit të
rrezikshmërisë, ndërsa Task Forcat e komunave dhe të shkollave do të
vendosin se cilin skenar do ta zbatojnë.