16 pacientë të grupmoshave të
ndryshme janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi në Spitalin Rajonal të
Ferizajt, dy prej të cilëve janë në gjendje kritike.
Drejtori i Spitalit të
Përgjithshëm në Ferizaj Jeton Zeqiri, tha se vetëm në 24 orët e fundit
mbi 40 qytetarë kanë kërkuar trajtim mjekësor në këtë spital, si të dyshuar
me Covid-19.
“Diku mbi 16 pacientë tashmë
janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi, dy prej tyre janë në gjendje pak
më kritike. Çdo pacient i cili përmirësohet dhe nuk ka nevojë për oksigjen dhe
mund të trajtohet në shtëpi ne automatikisht e lirojmë. Ne vetëm në
ditën e djeshme i kemi pasur 42 vizita që kanë ndryshime në rentgen dhe në
analiza laboratorike dhe të cilët kërkojnë të trajtohen në spital, të
gjithë janë të dyshuar, nuk janë të konfirmuar, pasi numri i testeve
është shumë i vogël dhe rezultatet
janë diku 3-4 ditë duke u vonuar për konfirmim, prandaj ne bëjmë apel tek qytetarët
që të na ndihmojnë pasi kapacitetet tona sa po vijnë duke u shterrur,
ndërsa vigjilenca dhe përkujdesi duhet të rritet pasi nëse nuk e frenojmë
zingjirin infektues do të hymë në hallkën e problematikës serioze në
trajtimin e aspektit të mirëfilltë”,tha Zeqiri.
Zeqiri thotë se në Spitalin e Ferizajt janë
vetëm 30 shtretër për pacientët me koronavirus.
“Kapacitetet për shtretër janë duke u zvogëluar për arsye se
është duke u rritur në vazhdimësi numri i rasteve që po kërkojnë trajtim
spitalor, ndërsa ne përafërsisht diku 28-30 vende i kemi për mundësinë e trajtimin,
që do të thotë se është një gjendje shumë serioze, vazhdimisht po rritet
numri i të hospitalizuarve, ne sapo morëm
vendim të radhës për krijimin e hapësirave të reja, nga nesër qytetarët
trajtimin e rasteve emërgjente do të marrin në qendrën e emërgjencës
primare, ndërsa në vendin ku është emërgjenca jonë do të trajtojmë
rastet me Covid-19, tani komplet kati i parë i spitalit është duke u marrë
me trajtimin e rasteve me Covid-19”, tha Zeqiri.
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar
masa më rigoroze për parandalimin e përhapjes e koronavirusit. Në Policinë
Rajonale të Ferizajt, thonë se kanë shtuar numrin e policëve në terren, të
cilët do t’ua tërheqin vërejtjen qytetarëve që nuk i respektojnë masat,
ndërsa ditëve në vijim do të nisë edhe shqiptimi i gjobave ndëshkuese
për qytetarët të cilët nuk mbajnë maska dhe nuk i zbatojnë rekomandimet e
IKSHPK-së.
“Jemi duke i zbatuar planet operative që i kemi pranuar nga
drejtoria e përgjithshme, kemi lëshuar policë në terren në një numër më
të madh dhe në bashkëpunim me inspektorët komunal jemi duke vepruar,
prandaj ne u bëjmë apel qytetarëve të Ferizajt që të respektojnë masat
në mënyrë që të ruajnë shëndetin e tyre, të familjes dhe të gjithë
qytetarëve, ne jemi duke i pritur edhe vendimet shtesë të Qeverisë që
janë diskutuar gjatë ditës së djeshme dhe ne do t’i zbatojmë të gjitha
rekomandimet që dalin nga Qeveria”, tha major Mehmetali Hajdini.
Komuna e Ferizajt renditet ndër
komunat me numrin më të madh të rasteve aktive me koronavirus, me gjithsej
215 raste.