Pas shtimit të rasteve me COVID-19
ditëve të fundit në vend, nga dita e hënë është marrë vendim që të
gjitha shërbimet e gastronomisë, përfshirë restorantet, kafeteritë dhe
klubet e natës të mos ofrojnë shërbime nga ora 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit
në të gjithë territorin e vendit tonë.
Një vendim i tillë nga gastronomët ferizajas
po cilësohet diskriminues. Ata thonë se kanë shpresuar që të paktën gjatë
verës do t’i kompensojnë humbjet që i kanë pasur përgjatë 3 muajve të kaluar.
“Normal që e përkahim vendimin e Qeverisë pasi është
në favor të mbrojtjes së shëndetit, por si gastronomi na ka dëmtuar
shumë, puna nuk është duke u bërë si më herët, jemi duke pasur shumë
vështirësi pasi edhe ne kemi shumë shpenzime, nuk kemi as përkrahje të Qeverisë,
pagat e premtuara nuk kanë dalë, ndërsa edhe më e rëndë është që ne po
diskriminohemi, disa biznese me punu
ndërsa ne jo, masat jemi duke u munduar në maksimum me i respektu”, tha Egzon Aliu, udhëheqës i kafeterisë
“Premiera” në Ferizaj.
“Ne kemi filluar punën që 1 muaj e gjysmë, në këtë muaj jemi
munduar maksimalisht me i respektu masat, por prapë puna ka qenë më e vogël,
tani është sezona e verës dhe ne sektori i gastronomisë kemi pritur me punu
tani, ndërsa masat e reja me punu deri në ora 9 prapë na dëmtojnë neve dhe
njerëzit dalin më shumë në mbrëmje për t’iu ikur temperaturave të larta
gjatë ditës”,
tha Leona Jahiri, pronare e “Lonki’s Cake”.
Në komunën e Ferizaj është e
ndaluar edhe lëvizja e qytetarëve në këtë orar. Qytetarëve
të Ferizajt nuk po u pëlqen menaxhimi që është duke u bërë me situatën që
ka krijuar pandemia.
“Këtë moshë e kam bërë dhe nuk e di se çka janë viruset,
menaxhimi nuk është fare, në fillim filluam me i përdor maskat dhe kishte
raste, ndërsa normal që ka tash më shumë raste se ka njerëz më shumë
duke lëvizur, por më e dyshimta është njerëzit që po shërohen si po
shërohen ata, kjo është për t’u çuditur, normal që vdes njeri 70 vjeçar,
edhe unë jam 70 vjeçar dhe normal nuk pres me u bë i ri, por vetëm me prit
vdekjen në këtë moshë”, tha Sejdi Sejdiu.
“Situata është bukur serioze pasi në kohën e fundit është duke
u rritur numri, unë nuk kam maskë për momentin, e kam në veturë, por
zakonisht e mbaj, ka nevojë për më shumë kujdesje, ndërsa sa i përket
masave të reja prej orës 21:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit nuk e di sa
munden me prodhu efekt, mendoj që duhet të jenë më rigoroze masat që të
definohet saktë për të gjithë“, tha një tjetër qytetar.
3 mijë e 886 raste pozitive me
koronavirus janë regjistruar deri më tani në Kosovë me gjithsej 82 raste
të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese, ndërsa
numri i të shëruarve në vend është gjithsej 2 mijë e 3 raste, kurse raste
aktive me koronavirus janë 1 mijë e 801.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë
Publike në vazhdimësi është duke bërë thirrje që të zbatohen masat mbrojtëse si mbajtja e maskave, mbajtja
e distancës dhe e higjienës.