Organizata e Veteranëve të Luftës së
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar ndaj aktakuzës së ngritur ndaj presidentit
të Kosovës Hashim Thaçit dhe liderit të PDK-së Kadri Veseli nga Zyra e
Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Kryetari Organizatës së Veteranëve të
Luftës së UÇK-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu, thotë se kjo aktakuzë ka qenë e
pritshme, por jo edhe në këtë moment kur ishin planifikuar takimet mes Kosovës
dhe Serbisë në Uashington.
“Ajo që ndodhi dje natyrisht
që nuk ka qenë e papritur pasi që në këtë drejtim janë zhvilluar shumë procese,
por neve na shqetëson mënyra se si është
shpallur kjo aktakuzë pa kaluar fare nëpërmjet gjykatës, por drejtpërdrejtë dhe
në kohën kur është bërë gjatë rrugëtimi për procesin e bisedimeve, pra kjo e ka
dëmtuar shumë procesin e bisedimeve, padyshim që bisedimet më nuk kanë kuptim
të vazhdohen pa të”, tha Sejdiu.
Sejdiu tha se veteranët e luftës do
të vazhdojnë t’i mbrojnë vlerat e luftës pavarësisht gjithçkaje.
“Ne veteranët e luftës kemi bërë maksimumin për çlirimin e Kosovës,
ne edhe sot jemi në gjendje të bëjmë për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës. Ne
do të mbledhemi dhe do të shikojmë se si do të veprojmë. Puna e presidentit
ishte e mirë ku dialogun e barti nga Brukseli në Shtëpinë e Bardhë, por për
dikënd kjo shtëpi ishte herë e kuqe, herë e verdhë, por për neve mbetet
gjithmonë e bardhë, kjo është shkaktari kryesorë”, tha Sejdiu.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, me
seli në Hagë, e njoftoi publikun të mërkurën se më 24 prill ka paraqitur në
Dhomat e Specializuara një aktakuzë për shqyrtim, e cila e ngarkon presidentin
e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit dhe deputetin aktual të
Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe persona të tjerë me krime
kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë,
persekutim dhe torturë.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi, Veseli
dhe të dyshuarit e tjerë, emrat e të cilëve nuk janë bërë publik, kanë përgjegjësi penale për afro 100 vrasje.