Shkarkimi i Vjosa Osmanit nga pozitat
e saj brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga analistë politik në Ferizaj po
konsiderohet rikthim i kohës së diferencimit politik dhe shenjë e keqe për
demokracinë në vend.
Afrim Demiri, analist dhe ish-gazetar
nga Ferizaj, thotë se ky veprim i LDK-së pa debat të brendshëm politik dhe me
votim elektronik, është vetëvrasje politike e kësaj partie.
“E kam parë këtë proces si një proces jodemokratik i cili në
esencë nuk e shpreh një demokraci të brendshme të partisë pasi nuk mund
të hiqet kuadri kryesor i partisë që deri dje ia ke besuar edhe kandidaturën për të përfaqësuar në
garë elektorale si kandidate për kryeministre pa asnjë diskutim të
brendshëm politik, prandaj vijmë tek ajo pika më e dobët e partive tona tek
demokracia e brendshme partiake dhe logjikisht nuk mund të ndërtohet edhe
një sistem demokratik, pasi një parti e cila nuk ka demokraci të brendshme
nuk mund të ofroj një qasje demokratike qeverisëse. Këtu është problemi
që unë Vjosa Osmanin e shoh si një
personalitet të fuqishëm e cila duke mbrojtur votën qytetare i ka dhënë
shembull partisë edhe në aspektin e edukimit demokratik”, tha Demiri.
Demiri thotë se shkarkimi i Osmanit
shihet edhe si garë politike brenda LDK-së. Sipas tij, udhëheqësit e
LDK-së kanë pretendime ta sjellin Avdullah Hotin në krye të partisë.
“Këtu kemi të bëjmë edhe me rivalitete të brendshme partiake
për arsye se i dimë përçarjet që ishin në horizont gjatë procesit
zgjedhor brenda LDK-së dhe pikërisht ishte figura e Vjosa Osmanit e cila
krijoi një unitet të brendshëm partiak dhe mbi këtë unitet u kthye vota e
LDK-së e cila u promovua si një shpresë e re demokratike krahas ndryshimeve
që ofronte edhe Vetëvendosje që nuk ishte deri tash në pushtet dhe gëzonte
një moral publik karshi procesve korruptive, prandaj shkarkimin e saj e shoh një ndërprerje të kësaj fryme.
Nëse LDK-ja ishte parimore dhe donte
të bënte ndryshime pse nuk e propozoi
Osmanin për kryeministre kur ajo ishte e nominuar gjatë procesit zgjedhor,
por promovoi për kryeministër një person tjetër, prandaj unë e shoh që nesër
z.Hoti ta merr vet partinë, këtu ka një revoltë të madhe e cila nuk mund të
fashitet deri në fund pasi Vjosa Osmani është rubikon i LDK-së, por edhe i
kthesës demokratike në kuadër të vendit”, tha Demiri.
Pas vendimit të Lidhjes Demokratike
të Kosovës, Osmani ka shpjeguar edhe disa arsye pse është shkarkuar, ku
ndër të tjera ajo thotë se është diferencuar edhe për shkak se është
grua. Arbenita Topalli nga Inciativa për Progres dhe aktiviste e të drejtave
të grave në Ferizaj, thotë se shkarkimi i Vjosa Osmanit është mbytje e
shpresës për gjininë femërore.
“Në aspektin politik rregullimi i brendshëm i partive politike ka
të bëj me funksionimin e tyre demokratik duke konsideruar edhe pozitën e
gruas brenda partisë. Pritjet kanë qenë shumë të larta edhe nga qyetarët,
sidomos nga gratë nëse e shohim në aspektin gjinor, pasi gjatë aktiviteteve që
kemi organizuar sa i përket të drejtave të grave dhe mosdiskriminimit të
tyre në shoqëri ka qenë një shpresë Vjosa Osmani për të gjitha gratë në
vend duke qenë se përveç që doli një kandidate e suksesshme dhe si kryetare e Kuvendit të Kosovës ka
qenë shpresë për të gjitha gratë për të kërkuar të drejtat e tyre në
të gjitha fushat, si e drejta e pronës, e punës, e shoqërisë dhe kjo normalisht ka reflektuar
edhe me një lloj pakënaqësie në aspektin gjinor nga ana jonë dhe nga ana e
shoqërisë. Ky përjashtim pavarësisht procedurave që ka kaluar brenda
partisë është e drejtë partiake, por ta përjashtosh një grua e cila ka kontribuar vazhdushëm ndër vite
mund të themi që më tepër i ka kaluar pritshmëritë e degradimit të një
femre në pozita vendimmarrëse”, tha Topalli.
Topalli thotë se shkarkimi i Osmanit në njëfarë forme ka kthyer sistemin e
dikurshëm, atë patriarkal.
“Katër vite kemi që në Ferizaj bëjmë organizime të ndryshme
që të ngritim vetëdijen e qytetarëve për respektimin e të drejtave të
grave dhe me të vërtet na ka kthyer prapa në këtë drejtim dhe kjo
reflekton gjithkund. Kujtojmë që kanë marrë hapa të ngutshëm karshi
qëndrimeve që ka pas Vjosa pasi në këto raste e drejta dhe shprehja e mendimit është e lirë pavarësisht a është
brenda partisë apo në institucione, përderisa nuk ka pas vendime apo veprime
për burra të cilët shprehen sikurse vendimin që e morën për Vjosën“,tha Topalli.
Sipas letrës së kreut të LDK-së
drejtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, Osmani është
shkarkuar me 70 vota pro nga 95 sa kishin votuar në Këshillin e
Përgjithshëm, kurse 16 ishin shprehur kundër e 9 kishin abstenuar, ndërsa
28 nuk kishin pranuar të merrnin pjesë në votim.