6 raste me koronavirus vazhdojnë të
jenë aktive në komunën e Ferizajt. Sipas Qendrës Rajonale të Shëndetit
Publik në Ferizaj, këto raste janë në vetizolim.
Drejtoresha e kësaj qendre Sevdije
Mehmeti, thotë se në Ferizaj gjendja është nën kontroll, por kjo mund të
ndryshojë bazuar në rritjen numrit të rasteve në javën e fundit në nivel
vendi, andaj qytetarët e kësaj komune nuk duhet të ndjehen komod.
“Me lirimin e masave ka filluar shtimi i numrit të rasteve, kjo ka
qenë e pritshme, por jo në këtë masë, qytetarët e kanë marrë si diçka
që nuk është rrezik, përkundrazi tek tash është rreziku i madh, virusi po
përhapet me të madhe tani, prandaj duhet t’iu përmbahemi masave, bartja e
maskave patjetër, respektimi i distancës fizke, larja e duarve, mbajta e higjienës
në ambiente të punës. Sinqerisht unë jam e pakënaqur shumë me situatën
akutale dhe me sjelljen relaksuese të popullatës, kështu ne jemi duke
rrezikuar shumë dhe jemi duke parë që kohën e fundit ka numër të kufizuar
të testimeve për shkak se nuk ka teste të mjaftueshme e po ashtu edhe staf“, tha Mehmeti.
Mehmeti tha se nëse qytetarët nuk iu
përmbahen rekomandimeve të autoriteteve të shëndetësisë, situata do të dalë
jashtë kontrollit.
“Në bazë të rekomandimeve më të reja të Ministrisë së
Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik testimet do të bëhen
vetëm për personat me simptoma dhe atë vetëm pas vizitës së infektologut,
personat e tjerë qofshin persona kontakti të drejtpërdrejtë ose të
kontakteve janë të obliguar të qëndrojnë në vetizolim.Tash për tash ka
mjaftueshëm kapacitete, por nëse vazhdon të shtohet numri i rasteve nuk kemi
me arritë me i mbulu të gjitha, nëse vazhdon kështu është shqetësuese
shumë dhe vetëm na mbetet të shpresojmë që nuk do të ketë shtim të numrit
të rasteve gjithherë duke shpresuar tek qytetarët që do t’u përmbahen rekomandimeve
tona”, tha
Mehmeti.
Nga 1 qershori e deri dje në Kosovë janë konfirmuar 1086 raste me koronavirus, duke bërë kështu që numri i të infektuarve përgjatë këtij muaji të jetë më i lartë sesa numri i të infektuarve që nga 13 marsi deri më 31 maj, kur ishin shënuar 1083 raste.
Duke parë këtë situatë, gjatë ditës së sotme Shtabi Emergjent i komunës së Ferizajt ka marrë vendim që të mos ofrohen shërbime për qytetarët që nuk janë të pajisur me masa mbrojtëse në të gjitha institucionet që janë në vartësi të komunës, po ashtu ka marrë vendim që të reduktoj esencialisht stafin punonjës të komunës, si dhe të shtojë inspektimet në lokalet afariste, veprimtaritë biznesore për zbatimin e masave mbrojtëse dhe manualin për mbrojtje nga COVID-19 i dalë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.