Kryetari i komunës së Ferizajt Agim
Aliu, priti sot humanistin kosovar Halil Kastratin, me të cilin nënshkruan
një memorandum bashkëpunimi që parasheh ndërtimin e 15 shtëpive për
familjet nevojtare në Ferizaj.
Nikoqiri i këtij takimi, kryetari i Ferizajt,
tha se pret që ky bashkëpunim të thellohet edhe më shumë në ditët në vazhdim.
”Ne do të fillojmë ndërtimin e 10 shtëpive dhe sigurisht që ky
është vetëm fillimi me zotëri Halil Kastratin dhe shoqatën, por jam i
bindur që javëve dhe muajve në vijim ne po ashtu jemi dakorduar që këtë
bashkëpunim ta thellojmë me qëllim të vetëm që sa më shumë familje në
nevojë, familje skamnore të jenë përfitues të kësaj ndihme. Ne ju falënderojmë
për gjithë këtë punë që e keni bërë dhe jeni duke e bërë“, u shpreh Aliu.
Derisa ky memorandum parasheh
ndërtimin e 10 shtëpive, Kastrati tha
se nga shoqata “Jetimat e Ballkanit” në Ferizaj do të ndërtohen edhe
5 shtëpi të tjera.
“Ne si shoqatë jemi tejet
të kënaqur me këtë bashkëpunim që filluam edhe me komunën e Ferizajt.
Bashkëpunime të tilla kemi pothuajse me të gjitha komunat e Republikës së
Kosovës dhe ne jemi aktiv për të ndihmuar familjet në nevojë në çdo
pëllëmbë të Kosovës. Ne vazhdimisht po bëjmë familje të shumta me
shtëpi dhe banesa. Në memorandumin e sotëm janë të parapara që të
ndërtohen 10 shtëpi, por ne si shoqatë do të ndërtojmë edhe 5 shtëpi të
tjera, pra do të jenë jashtë memorandumit “,tha Kastrati.
Për familjet në nevojë që nuk
kanë pronë të tyre, Kastrati tha se janë të gatshëm të dhurojnë edhe
banesa. Kurse, kryetari i komunës së Ferizajt tha se tashmë e kanë siguruar
listën e përfituesve.
“Ne
jemi të gatshëm, por nuk e di ju si komunë, vlera jonë për çdo shëpi në
këtë memorandum është 15 mijë euro, nëse hasim në familje që nuk ka truall
dhe gjejmë banesë me 20 mijë euro 15 mijë ne i japim, ose shtëpi ose
banesë, nëse gjendet banesa me vlerën e shtëpisë që është në marrëveshje
ne jemi të gatshëm me dhuru banesë. Neve na duhen 2 ditë për verifikim të
familjeve dhe pas dy dite mundemi me nisë ndërtimin”, tha Kastrati.
“Nga ajo që kemi folur këto shtëpi do të kryhen të gjitha sivjet
dhe çelësat do t’i marrin sivjet të gjithë përfituesit. Është një listë
e pritjes që është duke pritur një kohë të gjatë dhe ne e dorëzuam një
listë prej 10 emrash dhe të gjithë janë të merituar për t’iu ndërtuar
shtëpi“, tha
Aliu.
Humanisiti Halil Kastratii që
është drejtues i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, tregoi se vetëm
vitin e kaluar kanë ndërtuar 400 shtëpi, ndërsa për këtë vit
planifikojnë t’i ndërtojnë 300 shtëpi.