Peter Baker, korrespodenti kryesor i New York Times nga Shtëpia e Bardhë, ka publikuar mbrëmë një artikull me ekstrakte nga libri më i ri i John Bolton-it “The Room Where it Happened”, në të cilin ish-këshilltari për siguri kombëtare i Presidentit Trump, shpalos detaje për karakterin dhe veprimet e presidentit të tanishëm të SHBA-ve. Ky libër kontraverz del në shitje më 23 Qershor, ndërsa administrata e Trump gjatë kësaj jave ka bërë dy kërkesa të parreshtura për ta ndaluar daljen në dritë të këtij botimi.
Në vazhdim po i publikojmë disa shkëputje nga artikulli në fjalë:
“ Në librin e tij të ri, John R. Bolton, ish këshilltari për Siguri Kombëtare të SHBA-ve, i përshkruan instancat kur presidenti Trump bënte përpjekje që të ndalojë hetimet kriminale. Ai poashtu kishte shkruar se lojalistët e presidentit i talleshin atij pas shpine.
John R. Bolton, ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit të Shteteve të Bashkuara, në librin e tij të ri thotë se gjatë mocionit për shkarkim, Kongresi është dashur ta hetojë presidentin Trump jo vetëm për presion ndaj Ukrainës, por edhe për një mori instancash, kur është përpjekur që negociatat tregtare dhe hetimet kriminale t’i përdorë për t’i çuar përpara interesat e tij politike.
Z. Bolton i përshkruan disa episode kur presidenti amerikan ka shprehur dëshirë që t’i ndalë hetimet kriminale “për t’iu ofruar favore personale diktatorëve që atij i pëlqejnë”, duke theksuar rastet e firmave kryesore nga Kina dhe Turqia.
“Fushëveprimi dukej se obstruksioni i drejtësisë u bë mënyrë e jetës, të cilin ne nuk mund ta pranonim.”-shkruan z. Bolton, i cili thotë se këto brenga ia kishte shprehur edhe kryeprokurorit William P.Barr.
Z. Bolton poashtu ngriti edhe akuzën goditëse, duke e përshkruar se si z.Trump haptazi i ndërlidhi bisedimet e tarifave me Kinën për përfitimet e tij politike, duke kërkuar nga Presidenti Xi Jinping që Kina të blejë produkte bujqësore amerikane, për t’i ndihmuar atij që t’i fitojë shtetet fermere në zgjedhjet e sivjetme. Z. Trump, shkruan ai, “i bënte apel Xi-së që t’i ndihmojë për fitore”.
Z. Bolton kishte shkruar se z.Trump “e potencoi rëndësinë e fermerëve, dhe blerjes së sojës e grurit nga Kinezët, për rezultatin e zgjedhjeve”.
Libri “The Room Where It Happened” (“Dhoma ku ndodhi e tëra”), është siguruar nga New York Times para publikimit të saj të martën e ardhshme, dhe është shndërruar në një rruferpritës politik në kulm të fushatës zgjedhore, duke e arritur titullin e bestseller-it nr.1 në Amazon.com, ende pa u shfaqur në raftet e librarive.
Gjersa librat e tjerë të gazetarëve, asistentëve të rangut të ulët apo edhe të një zyrtari të lartë anonim e kanë shpalosur Shtëpinë e Bardhë të Trump-it, botimi i Boltonit është memoari i parë me rrëfim të plotë nga një zyrtar aq i lartë, i cili ka marrë pjesë në ngjarjet kryesore të politikës së jashtme, dhe i cili mban kredenciale të një konservatori të përjetshëm. Është një portretizim përçmues i presidentit të padijshëm edhe për faktet më bazike lidhur me botën, të ndijshëm ndaj flirtimeve nga liderët autoritarë që e manipulojnë, dhe i cili anon kah deklarimet e pavërteta, vjell vrer me gojë dhe merr vendime të shpejta, të cilat pastaj asistentët e tij përpiqen t’i menaxhojnë apo edhe t’i zmbrapsin.
Bolton shkruan se Z.Trump nuk dukej që e kishte të njohur se, për shembull, Britania është fuqi nukleare, apo pyeste nëse Finlanda është pjesë e Rusisë. Presidenti kurrë nuk u lodh që t’i sulmonte liderët aleatë dhe erdhi aq afër tërheqjes së SHBA-ve nga NATO si asnjëherë më herët. Ai tha se ”do të ishte “cool” që të bëhej invazion në Venecuelë”.
Në momente, z.Trump i imitonte liderët autoritarë, të cilët dukej se i admironte. “Këta njerëz duhet ekzekutuar” pat thënë z.Trump për gazetarët. “Ata janë horra!”.
Kur z. Xi e sqario arsyen pse po ndërtonte kampe përqëndrimi në Kinë, në libër thuhet se Z.Trump”u shpreh se Xi duhet ta shtyejë përpara ndërtimin e këtyre kampeve, për të cilin mendonte se është veprimi i duhur që duhet bërë. “
Në vazhdën e këtyre sjelljeve, edhe këshilltarët më të lartë, të cilët e vendosin veten në kategorinë e lojalistëve të përbetuar, e përqeshnin z.Trump pas shpine. Sipas librit, më 2018, gjatë takimit të presidentit me liderin e Koresë veriore, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo i kishte përcjellur z.Bolton një shkresë me të cilën e nënçmonte presidentin, ku shkruante “Sa shumë po baglon”. Bolton shkruan se një muaj më vonë, Pompeo e kishte braktisur diplomacinë presidenciale për Korenë e Veriut, due deklaruar se ”ka zero gjasë për një sukses”.
State Departamenti nuk dha komente, mirëpo z.Trump e ktheu goditjen në Twitter, menjëherë pas mesnate. “ Libri tendencioz nga i luajturi John Bolton, është i sajuar me mashtrime dhe storie të rrejshme,” shkruajti sot në mëngjes, duke shtuar “ Një i marrë i pakënaqur, i cili vetëm donte të shkonte në luftë. Kurrë s’kishte lidhje, e tëhuajta dhe hodha me kënaqësi. Çfarë torrolaku!”.
Z. Bolton mendon se flirtimi diplomatik i z,Trump me tipat sikurse janë lideri i Koresë Veriore, Kim Jong-Un, dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin, ishin me këshilla të këqija e bile edhe të marra, duke e shpenzuar funksionin e tij në tentimet për t’i parandaluar marrëveshjet e këqija të presidentit.
Z.Bolton është një figurë e komplikuar dhe kontraverze. Si zyrtar i presidentëve Reagan, Bush, dhe si ambasador i George W. Bush në OKB, z.Bolton, ishte njëri ndër avokatët më të zëshëm i vijës së fortë në politikën e jashtme, një përkrahës i luftës në Irak i cili e ka favorizuar një intervenim të mundshëm ushtarak në vendet e çoroditura sikurse janë Irani apo Korea e Veriut.
Bolton dha dorëheqje gjatë shtatorit të kaluar, ndërsa Trump thotë se e kishte shkarkuar, pas mosmarrëveshjeve në lidhje me iranin, Korenë Veriore, Ukrainën dhe për “marrëveshjen e paqes me Talibanët në Afganistan”.
Artikullin e plotë mund ta gjeni në faqen e NYT https://www.nytimes.com/2020/06/17/us/politics/bolton-book-trump-impeached.html?action=click&module=Top%20Stories&pgtype=Homepage