Kryetari i komunës së Ferizajt Agim
Aliu, bashkë me ekipin e tij për afër katër orë rresht bashkëbiseduan me
qytetarë të kësaj komune. Në këtë diskutim publik, kryetari i komunës i njoftoi
qytetarët për të arriturat, sfidat dhe projektet që kanë realizuar në
gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Po ashtu, aty u diskutua edhe korniza
afatmesme buxhetore për vitin 2021-2023.
“Kemi dëshmuar edhe gjatë dy viteve të kaluara të qeverisë sonë dhe
jemi duke dëshmuar edhe në këtë vit që ne jemi qeverisje më kreative dhe më
inovative që kanë të bëjnë me projekte unike dhe një ndër projektet unike është
edhe hapja e ambulancës veterinare shkollore
që është për herë të parë në Kosovës, gjithashtu projekt unik që
zhvillon me këtë rast Ferizaj do të jetë edhe sistemi antibreshër dhe dalëngadalë
do të zgjerohemi me këtë projekt që do t’i dalim në mbrojtje bujqve tanë, po ashtu
për herë të parë në nivel të Kosovës kemi shpërndarë 330 koshere bletësh, një
lloj i veçantë që nuk është shpërndarë në Kosovë asnjëherë. Po ashtu, tashmë ka
përfunduar gjithçka sa i përket ndërtimit të Fabrikës së Ujit në Talinoc të
Muhaxherëve dhe më në fund do të ketë sasi të mjaftueshme të ujit për fshatrat
që kanë pasur telashe me ujë”, tha Aliu.
Pas fjalimit disa minutësh të
kryetarit, radha u erdhi atyre që ishin të ftuar. Ishin kryesisht kryetarët e
fshatrave ata të cilët morën fjalën duke dhënë vërejtje, lëvdata, e duke
ngritur shumë probleme me të cilat ballafaqohen komunitetet e tyre.
“Kemi pritur që me vazhdu shtrati i lumit në anën tonë në Jezerc
deri tek bashkimi i lumenjve, çka ka ndodhë me të? Tjetra është që në fshatin
Jezerc ka mbetur trotuari i papërfunduar i rrugës kryesore dhe është brengë e
të gjithëve”,
tha Nazmi Baliu, përfaqësues i fshatit Jezerc.
“Fshati Gaçkë ka mungesë të ujit të pijes, nuk ka trotuar edhe pse
është thënë se do të bëhet, kemi nevojë për çerdhe në fshatin tonë”, tha Feriz Sejdiu, përfaqësues i
fshati Gaçkë.
“Kemi probleme me mbeturina në fshatinë Llojza për të cilat duhet me
u angazhu aty dikush”, tha përfaqësuesi i fshatit Llojza.
“Ka raste që dy shtëpi lypin me u asfaltu rruga, ndërsa ne në
Mirosalë e kemi një rrugë që janë 3
lagje dhe janë 90 shtëpi dhe aty rruga është e ngushtë e pa trotuar“, tha Përparim Bytyqi,
përfaqësues i fshatit Mirosalë.
Në këtë diskutim publik, kritika pati
nga përfaqësuesit e organizatës joqeveritare Iniciativa për Progres.
“Si ka rezultuar që komuna e Ferizajt çmimet e kontratave gjatë
pandemisë kanë qenë shumë të larta, rasti konkret është dezinfektimi i hapësirave
publike ku për metër katror është paguar 64 centë, ndërsa çmimi mesatar në
komuna të tjera ka qenë 20 centë dhe gjithashtu në kontratë nuk është specifikuar sasia, a e konsideroni
këtë shkelje të ligjit apo mungesë të transparencës komunale?”, tha Shpend Mustafa nga INPO.
“Lidhur me kontratat e pandemisë në momentin kur e keni ngritur këtë
shqetësim e kam ftuar shefin e prokurimit dhe i ka dhënë sqarimet, po sido që
të jetë, jemi në dispozicion për gjithçka dhe mundeni me sqaru në Zyrën e Prokurimit
pa ndonjë problem“,tha
Aliu.
Në këtë debat publik, drejtoresha e Financave
bëri të ditur se niveli qendror ka vendosur që në vitin e ardhshëm të jenë 500
mijë euro më pak për investime kapitale
në Ferizaj.