Qytetarë, familjarë dëshmorësh, zyrtarë institucional e partiak, nderuan me homazhe dëshmorët e kësaj ane në 21 vjetorin e çlirimit të vendit.
Ish-zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Imri Ilazi, përshkruan momentet e para të çlirimit të Ferizajt.
“Është një ndjenjë e papërshkruar e cila të kujton shumë gjëra që kanë ndodhur gjatë vuajtjeve të popullit tonë, por dua të potencoj hyrjen tonë dhe ballafaqimin tonë të parë me popullatën ku në ato momente kanë dalë nga bodrumet me fytyra të zbehta dhe sikur hapet qielli duke filluar nga fëmijët e moshat më të shtyra dhe në ato momente kujtohet sakrifica e shumë brezave e bashkëluftëtarëve që kanë bërë dhe njëkohësisht në ato momente ka qenë prekëse mungesa e madhe e popullatës që detyrimisht ishin largar me dhunë nga Kosova. Nuk duhet parë vetëm zi ose vetëm bardh, në disa segmente të jetës sonë nuk janë përmbushur obligimet, por rekomandimi im tek të rinjtë është që le të luftojnë për vlerat, gjeneratat e reja duhet të marrin shembujt e mirë dhe të kenë parasysh edhe vuajtjet e sakrificat e së kaluarës”, tha Ilazi.
Ndërkaq, kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Ferizaj Rafiz Sejdiu, tha se lufta çlirimtare e Kosovës është ngjarja më e ndritur e historisë së kombit shqiptarë.
“Populli shqiptarë ka luftuar kohë të gjatë, ka bërë rezistencë, ka bërë luftëra, por rezultati i të gjitha luftërave dhe sakrificave është lufta e UÇK-së e cila u kurorëzua me çlirimin e Kosovës, fatkeqësisht në kohët e fundit kanë dalë disa zëra që po mundohen ta përbaltojnë luftën UÇK-së siç ishte rasti i këshilltarit të kryeministrit dhe disa frikacakë mezi pritën t’i bashkëngjiten radhëve të tyre, por populli shqiptarë do t’ua tregoj vendin mendimtarëve të tillë”, tha Sejdiu.
Ndërsa, të rinjtë ferizajas thonë se do të mundohen që gjithherë t’i nderojnë dëshmorët dhe të punojnë për amanetin e tyre.
“Unë jam e re dhe nuk e kam përjetuar luftën, por më kanë treguar se si është përjetuar lufta, unë jam e lumtur që ne të rinjtë po i përkujtojmë dhe i nderojmë dëshmorët, ne mundemi t’i bëjmë krenarë të gjithë vetëm me punë të mira”, tha Pranvera Bytyqi, kryetare e të rinjve në Ferizaj.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe njëkohësisht nisi largimi i forcave serbe.