Me 16 vota pro, 9 kundër dhe 7 abstenime, Kuvendi Komunal i
Ferizajt miratoi sot rishikimin e buxhetit për vitin 2020.
Drejtoresha e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku, tha se
pandemia globale Covid-19 ka bërë që disa projekte të pësojnë ndryshime.
“Ne nga lista e projekteve kapitale i kemi bërë disa
ndryshime që në total kapin vlerën prej 281,769 mijë euro, ndërkaq nga
programet që i kemi marrë këto projekte nuk ka as ulje të buxhetit as rritje
dhe të gjitha projektet që do të zvogëlohen në rishikim të buxhetit do të
barten përsëri në prorgamet e njëjta, por në ato projekte që do të jenë
të realizueshme në këtë 6 mujor”, tha Ajeti-Sadiku.
Si gjithherë, të zëshëm ishin kuvendarët opozitarë nga
LDK-ja. Heqja e projektit që parashihte ndërtimin e ambulantave në fshatin
Softaj dhe në rrugën “Kadri Zeka” në Ferizaj dhe marrja e parave nga
buxheti për ndërtimin e shtëpive për familjet skamnore, ishin pikat për të
cilat opozita kërkoi llogari nga ekzekutivi.
“Janë marrë para nga ndërtimi i institucionit
shëndetësor në Softaj që më së shumti ka nevojë të bëhet ku është
frekuentimi më i madh, pse duhet të heqet në Softaj e të ndërtohet me
nguti në Prelez, ose pse me u heq në rrugën “Kadri Zeka”, ndërsa
më e dhimbshme është heqja e parave nga linja buxhetore e ndërtimit të
shtëpive për rastet sociale, ku ka familje që thojnë bina me fjetë e nuk e
dimë se si çohemi në sabah”, tha Burim Karameta i LDK-së.
“Nuk ka mundësi që të arrihet një konsensus i tillë
që të hiqen mjete nga projekti i buxhetit për AMF-në në Softaj me qëllim
të fillimit nga e para të një projekti që është i paraparë të
ndërtohet në vitin 2021 në Prelez të Muhaxherëve, është me rëndësi
mirëpo pasi janë caktuar prioritetet do të ishte mirë që të jemi
konsistent dhe jo të krijojmë prioritete të reja, gjithherë nëse kjo nuk
është përpjekje për komunikim me elektoratin atje. Në qoftë se gjatë periudhës sime 4
vjeçare më ka mbetur ndonjë peng i parealizuar ka qenë zgjidhja e problemit
të banimit për të varfërit, e kam brejtje të ndërgjegjes që nuk kam
investu tek komuniteti pakicë”, tha Muharrem Svarqa.
“Nëse thirremi në Covid-19 në këtë periudhë unë
kam prit që në këtë Kuvend që ka me na ardhë një rishikim i buxhetit që
të jenë 1 milion euro për t’u dalë në ndihmë biznesve të vogla, të mesme
dhe ato të cilat hapen të reja dhe të shkojnë këto mjete tek to, e jo të
bëhen këso gjërash”,tha Shkëlzen Selmani, LDK.
“Dua të kem informacion se çfarë kriteresh janë
përdorur që të heqen fondet nga AMF-ja në Softaj dhe në rrugën
“Kadri Zeka” për t’u ndërtuar në fshatin Prelez”, tha
Dritëro Hyseni nga LVV.
“Ka të bëj me kontejnera nëntokësor që është zvogëluar
buxheti për to, ne kemi nevojë me trajtu këtë problem dhe e dyta edhe unë
kam pas takim me qytetarë të Softaj dhe është mirë të shihet që buxheti
për shtëpinë e shëndetit në Softaj të mos heqet”,tha Ali Halimi.
‘’Sa i përket lëvizjes së mjeteve unë e shoh të
arsyeshme sepse nuk janë larguar mjetet për ndërtimin e shtëpive të
rasteve sociale, Burimi e tha dhimbshëm, por është mirë me tregu çka ka bërë
ky sa ka qenë drejtor dhe me tregu se çfarë ka bërë me galambrëmjet”,
tha Lulzim Abazi nga PDK-ja.
“Luli nuk i takon kategorive të qytetit tonë dhe nuk e
di problemin e skamnorëve, por këtu ka njerëz që duhet me i tregu se
galambrëmja që është organizuar krejt të dhënat janë në komunë dhe jam
i gatshëm me raportu për ato para, por për ty është e dhimbshme me
përballu se krejt qeveritë me i bë bashkë s’kanë ndërtu shtëpi më shumë
se qeverisja Svarqa. Unë nuk pres që ju me ndërtu shtëpi, por ku keni
mundësi me dhanë kontributin jepne”,tha Burim Karameta, LDK.
“Është e vërtet që nuk i takoj kategorisë që po
thuani ju, po as ju nuk i takoni, pasi e dimë për secilin, ty katër vite
qeverisje ta kanë rregulluar standardin jetësor”, tha Lulzim Abazi nga
PDK-ja.
“Nuk e kisha ndërmend me dalë, por u irritova me këtë
ecuri të kësaj seance, është e turpshme që po lejohet me ndodhë kështu,
secili flet nga ne në interes të qytetarëve, por interesi i qytetarëve
është shumë më i madh se në mundësitë që i kemi. Ndërsa, për atë që
nuk mund të pajtohem është heqja e AMF-së në Softaj dhe kush e ka propozu
këtë ka gabuar”, tha Xhavit Zariqi nga AAK-ja.
Në fund, përgjigje i’u dha drejtoresha e Financave,
Sebahate Ajeti-Sadiku, e cila i bëri apel opozitës që mos të dalin të
flasin pa pasur fakte.
‘’Vitin e kaluar e kemi marrë një projekt nga ministria për
ndërtimin e shtëpive për rastet sociale ku do të ndërtohen mbi 50 shtëpi,
ne nuk themi do t’i ndërtojmë 400 shtëpi e t’i ndërtojmë vetëm 4, nuk e kemi hequr ndërtimin e ambulantës në
Softaj, por jemi në bisedime me Ministrinë dhe shumë shpejt do të kemi
memorandumin, po ashtu në rrugën “Kadri Zeka” e kemi hequr pasi ka
pasur probleme me prona, ndërsa në Prelez e kemi pronën e gatshme atje. U
fol për kontejnerat nëntokësor, i kemi hequr 10 mijë euro pasi përmes kompanisë
“Pastërtia” kemi pas një grand përmes GIZ-it për kontejnera dhe
do të ketë kontejnera në të gjithë komunitetin. Prandaj, do t’u lutesha
edhe pse e dimë që opozita e ka punën e vet për ta bërë opozitën, por
të thuhet po i ndihmojmë bizneset apo qytetarët atëherë do t’u lutesha që të paktën t’i bëni edhe veprat siç po i thuni
fjalët”, tha Sebahate Ajeti.
“Nuk jemi duke bë asgjë për inati, as nuk jemi duke bë
me tendencë, është diçka që jemi duke dashur me i harxhu paratë deri në
fund të vitit që mos me na shku paratë dëm”,tha Lulzim Aliu, drejtor i
Urbanizmit.
Përmes rishikimit të buxhetit ofrohet mundësi për transfere
ndërmjet nën-programeve dhe programeve buxhetore për periudhën e mbetur të
vitit.