Connect with us

Ferizaj

Mbi 4 mijë qytetarë nënshkruajnë peticionin e LVV-së në Ferizaj

Published

on

Për 3 ditë më shumë se 4 mijë qytetarë të Ferizajt kanë dhënë nënshkrimet e tyre në peticionin që është organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes së cilit ky subjekt politik po kërkon që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme.
Sekretarja e Qendrës së Vetëvendosjes në Ferizaj Liridona Gashi, tha se duke e parë interesimin e qytetarëve për të nënshkruar këtë peticion kanë vendosur edhe dy tenda në Ferizaj, një në rrugën “Agim Matoshi” dhe tjetrën në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”.


“Kemi filluar me marrjen e nënshkrimeve këtu në shesh, por për shkak të interesimit të qytetarëve për të nënshkruar nga sot do të shtojmë edhe dy pika të reja, njëra do të jetë tek rruga kah tregu, kurse tjetra tek Enti për Punë Sociale, por mundësitë janë të shtohen edhe pika të tjera pasi fluksi i qytetarëve për të nënshkruar është i jashtëzakonshëm. Deri tash numri i nënshkrimeve është 110 mijë, ndërsa në Ferizaj këto dy ditë kanë qenë 4 mijë nënshkrues dhe po presim që në ditët në vijim me hapjen e pikave të tjera numri i nënshkruesve do të jetë edhe më i madh”, tha Gashi.


Gashi tha se përmes këtij peticioni po vërtetohet se kërkesa për zgjedhje nuk është vetëm e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, apo e votuesve të kësaj partie, por edhe e qytetarëve të cilët më parë kanë pasur pikëpamje të tjera politike.


“Ajo që po vërehet dukshëm është se qytetarët pa marrë parasysh partitë politike që i kanë përkrahur deri tani shihet se gjërat kanë ndryshuar dhe qytetarët janë të gatshëm të nënshkruajnë pasi vullneti i tyre është shkelur, faktikisht ajo që kanë vendosur më 6 tetor ka ndryshuar në mënyrë drastike me pazaret që janë bërë dhe kësisoj ata kanë vendosur që të kërkojnë të drejtën e tyre dhe të vendoset përmes sovranit se kush duhet të udhëheq”, tha Gashi.


Qytetarët të cilët po nënshkruanin peticionin për zgjedhje, thanë se e duan Albin Kurtin në krye të Qeverisë së Kosovës.

“E kanë vjedhur vendin dhe jemi për zgjedhje, u pa ndyshimi për 50 ditë edhe pse të tjerët nuk e pranojnë”, tha Selman Isufi, qytetar.


“Unë jetoj jashtë, tani jam në pension dhe po jetoj këtu më shumë, mendoj që Albin Kurti është ai i cili mund ta çoj vendin përpara”, tha Halit Berisha.


“Unë jam për Albin Kurtin se është më i miri dhe u pa puna që është më i miri”, tha një tjetër qytetar.


“Partia më e pakorruptuar, të ri, të shkolluar, këta të vjetrit duhet me shku, në zgjedhje duhet të shkojmë dhe populli të vendos”, tha një tjetër nënshkrues i peticionit të Vetëvendosjes.

Peticioni i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhje të reja ka filluar që nga data 1 qershor, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë dekretit të presidentit Thaçi, vendim ky i cili bëri që Avdullah Hoti të vie në krye të Qeverisë.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Të shtunën disa fshatra të regjionit të Ferizajt do të mbeten pa rrymë

Published

on

Të shtunën (05.04.2025) disa fshatra të regjionit të Ferizajt do të përballen me ndërprerje të planifikuar të energjisë elektrike, si pjesë e punimeve për mirëmbajtjen e rrjetit.

Sipas njoftimit nga KEDS, ndërprerja do të zgjasë nga ora 09:30 deri në 14:30 dhe do të prekë fshatrat Greme, Gaçkë, Burrnik, Izhancë, Kashtanjevë, Bajincë, Semajë, Prushaj dhe Sllatinë si dhe disa biznese private në këto zona.

Ndërhyrja teknike përfshin ndërrimin e shtyllave dhe izolatorëve të dëmtuar, shtrëngimin e përçuesve dhe pastrimin e trasesë për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të rrjetit elektrik.

Continue Reading

Ferizaj

Arrestohen edhe dy persona për vjedhjen në Dremjak të Ferizajt

Published

on

Policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë të moshës së mitur të cilët ishin në kërkim për vjedhje të kryer në fshatin Dremjak, komuna e Ferizajt. Kështu numri i të arrestuarve për këtë vjedhje arrin në 5, pasi më 31 mars ishin arrestuar në flagrancë 3 të dyshuar.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se më 1 prill, me urdhër të prokurorit të shtetit dhe me pëlqimin e familjarëve, njësia e hetimeve të stacionit policor në Ferizaj, ka kryer bastisje në fshatin Talinoc i Muhaxherëve.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar përkohësisht disa stoli ari, të cilat pritet të krahasohen me rastet e raportuara të vjedhjeve në Ferizaj.

Si rezultat i këtyre bastisjeve, janë arrestuar dy të dyshuarit e fundit: E.H., 16 vjeç dhe V.L., poashtu 16 vjeç derisa mԯ herët janë arrestuar edhe A.H., 24 vjeç, A.H., 20 vjeç dhe E.S., 16 vjeç.

Me vendim të prokurorit të shtetit për të mitur, të dyshuarit janë ndaluar për 24 orë, thuhet në njoftimin e policisë.

Continue Reading

Ferizaj

Prokuroria në Ferizaj do të mbajë konferencë për media për rastin e vrasjes të Muhamed Likës

Published

on

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se do të mbajë sot konferencë për media për rastin e vrasjes të rreshterit të Policisë së Kosovës në Kaçanik, Muhamed Lika.

Konferenca do të mbahet nga ora 14:30, në objektin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

“Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, z.Burim Çerkini, prokurori i çështjes z.Ismet Rrahmani, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, është vrarë në orët e vona të 1 prillit, në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.

Ceremonia e varrimit e të ndjerit do të mbahet pas orës 17:00 në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik, njoftuan familjarët përmes rrjeteve sociale.

Continue Reading

Trending