Connect with us

Ferizaj

INPO akuzon komunën për keqmenaxhim të parasë publike në kohë pandemie

Published

on

Organizata joqeveritare Iniciativa për Progres, ka akuzuar komunën e Ferizajt për keqmenaxhim të parasë publike përmes instrumentit të prokurimit në këtë komunë, duke kërkuar që të mbahen përgjegjës zyrtarët që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për Prokurimin Publik.

”Komuna e Ferizajt në prill të këtij viti, me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë ka kontraktuar operatorin ekonomik “Ekologjia” për dezinfektimin dhe dezinsektimin e objekteve dhe hapësirave publike në vlerë totale të kontratës prej 50,000.00 Euro. Fillimisht, INPO ka gjetur se gjatë negocimit të kësaj kontrate komuna nuk ka respektuar parimin bazë të prokurimit, atë të ruajtjes së vlerës për paranë. Sipas kësaj kontrate, komunës së Ferizajt, dezinfektimi i një metri katror (1m2) i ka kushtuar 0.47 euro, përderisa komuna e Shtimes nga i njëjti operator ekonomik këtë shërbim e ka kontraktuar për vetëm 0.32 euro. Ndërkaq, në bazë të analizës së çmimeve të 10 kontratave të ngjashme të komunave të tjera, INPO ka gjetur se çmimi mesatar i këtij shërbimi gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, ka rezultuar të jetë 0.22 euro për 1m2”, thuhet në komunikatën e INPO-s.

”Gjatë analizës së dokumenteve të tenderit, INPO nuk ka gjetur se me çfarë metode komuna ka llogaritur vlerën e parashikuar të kontratës, pasi që as në dosjen e tenderit dhe as në paramasë nuk është specifikuar numri i objekteve dhe hapësirave publike të planifikuara për dezinfektim, si dhe nuk është shënuar sasia totale e shprehur në m2. Rrjedhimisht, kjo kontratë nuk e ka të specifikuar sasinë dhe frekuencën e shërbimeve.

Tutje, komuna nuk ka bërë asnjë përpjekje për të negociuar çmimin e ofertuar nga operatori ekonomik në mënyrë që të ruaj vlerën për paranë. Ligji për Prokurimin Publik në Kosovë, obligon komunën që të luaj rol aktiv në përcaktimin e termave të kontratës, duke iu referuar posaçërisht çmimit, afateve të dorëzimit, sasive, karakteristikave teknike, si dhe të sigurohet se çmimi i kontraktuar nuk është më i lartë se sa çmimi i tregut.

Në të njëjtën mënyrë komuna ka vepruar edhe më kontratën “Furnizimi i QKMF-së dhe Spitalit të Ferizajt, me mjete dhe pajisje mbrojtëse mjekësore” me nr. të prokurimit 656-20-1616-1-2-5, në vlerë prej 50,000.00 euro. As në këtë kontratë komuna nuk ka përcaktuar sasinë totale të artikujve të kontraktuar. Sipas dokumenteve të tenderit, komuna ka kërkuar nga operatori ekonomik “MADE – KOS” që të ofroj vetëm çmimet për njësi për një artikull mirëpo, as në kontratë dhe as në paramasë nuk ka përcaktuar sasinë totale të furnizimeve që janë objekt i kontratës.

Lidhja e kontratave në këtë formë, duke mos e paraqitur sasinë e punëve apo shërbimeve që do të realizohen, paraqet dyshim të bazuar për keqpërdorim të parasë publike dhe po ashtu pamundëson monitorimin e zbatimit të kontratës dhe ofrimit të shërbimeve cilësore dhe në mënyrë transparente për publikun e gjerë.

INPO i rikujton Kryetarit të Komunës se është nën përgjegjësinë e tij kryesore garantimi i sundimit të ligjit dhe menaxhimit efikas dhe efektiv në shpenzimin e parasë publike, gjithnjë duke pasur për interes nevojat reale të qytetarëve të Ferizajt. Andaj, INPO kërkon nga kryetari i komunës që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të vendosur standarde ligjore dhe efikase në shpenzimin e parave publike përmes prokurimit publik dhe të sigurohet se çmimet e kontratave publike të komunës nuk tejkalojnë çmimet e tregut në vend”, thotë INPO.

Gjithashtu, INPO i bën thirrje të gjitha autoriteteve relevante, të cilat kanë për mandat mbikëqyrjen e shpenzimit e parasë publike, të reagojnë në kërkim të llogarisë për shkeljet e paraqitura dhe të angazhohen që autorët e këtyre shkeljeve të mbahen përgjegjës para ligjit.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

15 të lënduar në 29 aksidente trafiku javën e kaluar në Ferizaj

Published

on

Policia e Ferizajt, brenda shtatë ditëve të fundit ka shqiptuar 1 mijë e 455 gjoba trafiku derisa janë pezulluar 10 patentë shoferë për shkelje të rënda në trafik.

Në raportin javor bëhet e ditur se janë evidentuar 29 aksidente në komunikacion.

Në 12 sosh mbetën të lënduar 15 persona derisa 17 aksidente ishin vetëm me dëme materiale.

Continue Reading

Ferizaj

Më 7 mars ndërprerje e planifikuar e rrymës në Ferizaj

Published

on

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) ka njoftuar se më 7 mars 2025, në qytetin e Ferizajt dhe disa fshatra përreth, do të ketë ndërprerje të planifikuar të energjisë elektrike për shkak të punimeve të domosdoshme për sigurinë e sistemit dhe për kyçje të linjës së re NS Theranda – NS Ferizaj 3.

Sipas njoftimit, nga ora 09:00 deri në 13:00, pa energji elektrike do të mbeten disa lagje të qytetit, përfshirë: 1 Tetori (një pjesë), 28 Nëntori (një pjesë), Arsim Rexhepi, Bajram Kelmendi (një pjesë), Bilall Shala, Cen Dugolli, Driton Islami, e Reçakut, Ganimete Tërbeshi, Hasan Berisha (një pjesë), Magj. Ferizaj-Prishtinë (një pjesë), Metush Krasniqi (një pjesë), Ndre Mjeda (një pjesë), Nora Kelmendi (një pjesë), Bostonit, Brahim Ademi, Kadri Abazi, Driton Islami (një pjesë), e Reçakut (një pjesë), Magj.Ferizaj-Prishtinë (një pjesë), Ahmet Kaçiku, Bostonit, Cen Dugolli (një pjesë), Driton Islami, e Reçakut (një pjesë) she Sali Çeku, Fabrika e Vajit, Fabrika e Bukes, Fabrika e Gypave 2, 3 dhe 4, Afrim Kalanica (një pjesë), Arsim Bega, Balaj (një pjesë), Diogardi  (një pjesë), Driton Islami, e Pashtrikut (një pjesë), Elbasanit (një pjesë), e Shkodrës, Epopeja e Jezercit, Fehmi Agani (një pjesë), Idriz Islami (një pjesë), Isak Sadiku (një pjesë), Limon Tahiri (një pjesë), Lutfi Haxhidema, Prekazit dhe Ramush Shatrolli (një pjesë) dhe Unioni E&R Invest.

Ndërprerja do të prekë gjithashtu edhe fshatrat Papaz, Pojatë, Rahovicë, Sazli, Softaj, Talinoc, Bublicë, Dramjak, Kosinë, Llojza, Lloshkobare, Saraishtë dhe Slivovë, ndërsa arsyeja kryesore e kësaj ndërprerjeje është krijimi i kushteve për kyçjen e linjës së re të tensionit të lartë.

Ndërprerje shtesë për shkak të punimeve teknike

Përveç kësaj, KEDS ka njoftuar se për shkak të zhvendosjes së një trafostacioni, në të njëjtën periudhë kohore (09:00 – 13:00), pa energji elektrike do të mbeten edhe rrugët Vëllezërit Gërvalla, Emin Duraku, Gëzim Sahiti, E Reçakut, Sali Çeku, Cen Dugolli dhe Ahmet Kaçiku.

Continue Reading

Ferizaj

Arrestohen dy grabitësit e marketit në Ferizaj

Published

on

Policia në Ferizaj ka arrestuar dy persona të dyshuar për rastin e grabitjes me armë në një market në rrugën “Astrit Bytyqi” në Ferizaj, ku nën kërcënimin me armë , ata grabitën rreth 1 mijë euro.

Për këtë grabitje që ndodhi mbrëmjen e së hënës, rreth orës 18:15, policia ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarit  I.D. 35 vjeç dhe  M.Q.  27 vjeç.

Me urdhër të gjykatësit është kryer bastisja në banesën e të dyshuarve ku janë siguruar prova që lidhen me këtë rast.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, thuhet mes tjerash në njoftimin e policisë së Ferizajt.

Continue Reading

Trending