Qytetarët e Ferizajt sot po prisnin në radhë për të nënshkruar peticionin e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes së cilit ky subjekt politik po kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ferizajasit shprehen se askush nuk ka të drejtë t’ua mohoj votën.
“Vetëm zgjedhje e jo ky me gjetë të gatshëm, populli e ka vlerësuar ndryshimin. Hazër me marrë qeverinë nuk ka askund, vota duhet me u respektu, boll kanë vjedhë që 20 vite”,tha Haziz Hashani, qytetar.
” U bënë krejt partitë truq me e rrëzu Albin Kurtin, ia ngjitën gjoja se i prishi raportet me Amerikën, Thaçi i ka bërë të gjitha, ne duam zgjedhje patjetër, këta kanë qenë që 20 vite”,tha Ramiz Veseli , qytetare.
Përfaqësues të Vetëvendosjes në Ferizaj, thanë se interesimi i qytetarëve për të nënshkruar këtë peticon është i jashtëzakonshëm, por edhe për t’u anëtarësuar në Vetëvendosje.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga ky subjekt politik Enver Haliti, tha se vetëm gjatë ditës së djeshme kanë mbledhur 600 nënshkrime, gjë e cila, sipas tij, dëshmon që qytetarët po vlerësojnë se zgjedhjet janë i vetmi legjitimitet për qeverisjen e re.
“Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të kundërshtimeve rreth aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mohimit të vullnetit të qytetarëv të treguar më 6 tetorë të 2019-së ku votuan për një qeveri të shpresës dhe në njëfarë forme ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese e mohoi vullnetin e tyre, duke parë këtë Vetëvendosje në kuadër të kundërshtimit ka filluar një peticion online, por është vlerësuar se është e nevojshme edhe mbledhja e nënshkrimeve në formë fizike me çka që nga dita e djeshme ka filluar ky organizim, ku në Ferizaj vetëm gjatë ditës së djeshme janë mbledhur diku 600 nënshkrime ku qytetarët u janë përgjigjur pozitivisht nënshkrimit të këtij peticioni”,tha Haliti.
E, vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë dekretit të Presidentit të vendit Hashim Thaçi, Haliti e quajti skandaloz e të ndikuar nga vet presidenti.
“Një vendim i pa precedent dhe skandaloz në formën se si e ka gjykuar dekretin e presidentit Thaçi kur kemi parasysh që po e njëjta gjykatë dhe kushtetutë ka vlejtur edhe në vitin 2014 dhe aktgjykimi në vitin 2014 ka qenë totalisht në kundërshtim me këtë që kemi tash në vitin 2020, ku në njëfarë forme ka qenë situata e njëjtë me atë të vitit 2014. Është një vendim që ka favorizaur planet apo apetitet e politikanëve të caktuar, konkretisht të presidentit Thaçi i cili ka qenë lojtari kryesor në këtë kohë duke dalë edhe jashtë kompetencave të tij e duke e marrë edhe rolin e një opozitari dhe jo duke ushtruar pozitën e tij, atë të unitetit”, tha Haliti.
Përveç peticionit, Vetëvendosje nuk ka përjashtuar edhe protesta për të kundërshtuar vendimin e Kushtetueses që i jep të drejtë formimit të qeverisë Hoti.