Në javët e para të muajit korrik maturantët do t’i nënshtrohen testit të maturës shtetërore 2020.
Drejtori i Arsimit në komunën e Ferizajt Afrim Llabjani, tha se kanë marrë informacione nga Ministria e Arsimit se testi i maturës do të mbahet në fillim të muajit korrik, ndërsa sa i përket testit të arritshmërisë për klasët e 9-ta, Llabjani tha se ende nuk kanë informacione.
“Në bazë të kalendarit shkollor klasët e 12-ta dje e kanë përfunduar procesin mësimor dhe ashtu ka ndodhur. Informacionet që kemi marrë nga Ministria e Arsimit, edhe pse jo zyrtare por nga burime të ndyshme në këtë institucion, rrjedh se testi i maturës do të mbahet sepse është ligji i maturës që parasheh të mbahet testi i maturës dhe kjo sipas informacioneve që kemi marrë do të mbahet në pjesën e parë të muajit korrik”, tha Llabjani.
Llabjani tha se për shkak të pandemisë Covid-19 që obligoi mbylljen e shkollave, testi i maturës sivjet do të pësoj ndryshime.
“Këtë vit do të ndryshoj testi i maturës, nuk do të jenë 200 pyetje, por do të jenë vetëm 4 lëndë, 3 obligative dhe një mësim zgjedhor, lënda për mësimin zgjedhor akoma nuk na ka ardhur nga ministria, por gjatë këtyre ditëve ne do të jemi në kontakt me Ministrinë e Arsimit dhe do të marrim listën ta shpërndajmë nëpër shkolla. Nga informacionet që kemi testi i maturës do të përbëhet vetëm me pyetje të mbylljes së shkollave, pra deri më 11 mars kur dhe janë mbyllur shkollat për shkak të pandemisë, ndërsa nuk do të ketë pyetje nga procesi i mësimit online pasi do të mund t’u hyhet në hak atyre nxënësve që nuk kanë mundur të qasen në mësimin online”, tha Llabjani.
Sa i përket procesit mësimor që është duke u mbajtur nga distanca, Llabjani tha se janë mjaft të kënaqur me tërë këtë proces që është duke u zhvilluar.
“Javët e para kanë qenë më të vështira, por me kalimin e kohës ka shkuar duke u rritur përqindja e pjesëmarrjes së nxënësve dhe nga raportet që kemi marrë kemi parë se 94.5% kanë qenë të përfshirë në procesin arsimor 1-9, ndërsa në nivelin 10-12 kemi pasur 91% të nxënësve, një pjesë e nxënësve kanë pasur probleme me teknologji për t’u kqyr, por një pjesë tjetër edhe probleme me kyqje të internetit, prandaj ne jemi kujdesur që t’u dërgojmë teknologji dhe kryesisht jemi fokusuar tek nxënësit me nevoja të veçanta, por një pjesë e nxënësve edhe nuk kanë shprehur interesim për t’u kyqur, por megjithatë kemi arritur që t’ia dalim mirë”, tha Llabjani.
Pandemia Covid-19 ka bërë që të shtyhet edhe regjistrimi i nxënësve në klasët e para që duhej të niste nga 17 maji. Drejtori i Arsimit tha se regjistrimi i filloristëve është shtyrë për një afat të pacaktuar.