Kryetari i Partisë Demokratike të
Kosovës Kadri Veseli, ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në
Ferizaj.
Derisa falënderoi stafin shëndetësor
për punën që po e bëjnë në përballje me pandeminë, Veseli kërkoi që të
realizohen më shumë testime për Covid-19.
“Nuk është me rëndësi numri i
statistikave sa është me rëndësi a kemi njerëz të infektuar ose jo. Në një
komunë të madhe sic është regjioni i Ferizajt po flasim për vetëm 22 testime.
Duhet të ketë më shumë testime në mënyrë që të ndalet zinxhiri i infektuesve të
cilët mund ta bartin pa vetëdijen e tyre virusin tek familjarët, në gjithë
qytetin e tyre dhe në tërë Kosovën”, tha Veseli.
Veseli tha se PDK-ja ka ndërmarrë një
iniciativë për të propozuar një pako emërgjente në vlerë prej 320 milionë
eurosh.
“Ajo që është kryesore në këtë
moment është se qytetarët tanë po ballafaqohen me pandemi, por pjesa kryesore
është se cilat do të jenë pasojat pas tejkalimit të saj, është pjesa
socioekonomike, pra direkt sektori privat, kemi të bëjmë me 280 mijë punonjës të sektorit privat që po
rrezikohen të mbesin në skema sociale, kjo është ajo që e kam inicuar një
iniciativë si PDK dhe presim që të premten të kemi një seancë të
jashtëzakonshme. Është një pako prej 320 milionë eurosh që do t’i ndihmojë
punëtorët e sektorit privat, ndërmarrësit, por edhe punonjësit shëndetësor dhe
komunat të cilat duhet të kenë mjete financiare për ballafaqimin me emergjencat
që kanë”, tha Veseli.
Në anën tjetër, kryetari i komunës së
Ferizajt Agim Aliu, tha se kanë angazhuar të gjithë akterët lokal për të
menaxhuar këtë situatë pandemie.
“Unë dua të falënderoj të gjithë
që janë organizuar dhe të gjitha vendimet po merren së bashku që sa më mirë me
kalu këtë pandemi”, tha Aliu.
Kurse, drejtoresha e QKMF-së Nadire
Imeri, tha se bashkërisht do t’ia dalin
në luftimin e kësaj pandemie.
“Kjo është një përkrahje morale
që stafi mjekësor të qëndroj stoik në këtë betejë që jemi tani me këtë pandemi,
por besoj që bashkërisht duke respektuar edhe qyetarët masat, kufizimet, mbajtjen
e distancës dhe punën e palodhshme të stafit mjekësor, besoj që bashkërisht do
t’ia dalim mbarë kësaj beteje”,tha Imeri.
Veseli në Ferizaj vizitoi edhe disa
farmaci, furra të bukës, si dhe përfaqësues të biznesve në këtë qytet.