Në këto ditë pandemie që po kalon vendi vullnetmirët janë vënë në aksion për t’iu dalë në ndihmë familjeve në nevojë.
Në mënyrë që numri i familjeve përfituese të jetë më i madh, Shtabi Emergjent i formuar në Ferizaj, thotë se janë duke bashkëpunuar me donatorë.
“Koordinimi në lidhje me shpërndarjen e këtyre ndihmave është bërë me Qendrën për Punë Sociale, përfitues janë afër 2 mijë familje ferizajase dhe natyrshëm për të gjitha këto posedojmë dokumentacionin që pasqyron shpërndarjen e këtyre ndihmave. Prioritet kanë pasur familjet që janë pjesë e skemës sociale, por duke i shtuar kësaj edhe familje të tjera që janë ndihmuar, nga 960 familje që janë pjesë e skemës sociale kemi edhe afër 1200 familje të tjera që nuk janë pjesë e skemës sociale që janë ndihmuar”, tha Albion Sherifi nga shtabi emergjent.
Sherifi tha se çdo ditë është duke u ripërtirë lista e familjeve përfituse, në mënyrë që një familje mos të përfitoj disa herë.
“Sektori Mirëqenies Sociale vazhdimisht po përpunon listat e familjeve në nevojë në mënyrë që lista të jetë gjithpërfshirëse. Kontingjentet e ardhshme që do të sigurohen do të bëhen për personat e rinj apo për familjet e reja, përpunimi i kësaj liste po ndodhë çdo ditë”,tha Sherifi.
Sherifi tha se numri i familjeve nevojtare që po kërkojnë ndihmë po shtohet dita ditës.