Anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa të komunës së Ferizajt, u mblodhën sot për t’ia proceduar Asamblesë komunale pikën e vetme për miratim, e cila ka të bëj me ndarjen e 200 mijë eurove në mbështetje të luftës kundër pandemisë Covid-19.
Drejtoresha e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku, tregoi se nga cilat kategori i kanë marrë këto mjete dhe kah do t’i orientojnë ato.
“Duke pasur për bazë situatën emergjente dhe gjendjen ekonomike të banorëve të Ferizajt, lejohen mjete financiare nga kategoria mallra dhe shërbime në shumën prej 200 mijë eurove që ne si komunë i kemi siguruar nga nënprogramet e drejtorive përkatëse. 50 mijë euro janë nga nënprogrami i administratës, 50 mijë euro janë ndarë nga administrimi dhe mbledhja e tatimit në pronë, 50 mijë euro janë ndarë nga nënprogrami i infrastrukturës rrugore, 50 mijë euro janë ndarë nga nënprogrami për shërbime të shëndetësisë primare. Kjo shumë do të shfrytëzohet për sigurimin e artikujve(pakove) ushqimore e hixhienike për familjet me gjendje të rëndë ekonomike, dezinfektimi i hapësirave publike, furnizimi me mjete mbrojtës nga virusi Covid-19 si dhe mbulimin e nevoja tjera që dalin si rezultat i parandalimit të këtij virusi”, tha Ajeti-Sadiku.
Të gjithë anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa ishin pro miratimit të këtij propozimi, por anëtarja e LDK-së Yllkë Neziri pati një vërejtje. Ajo tha se ndarja e këtyre mjeteve është dashur të përmendet si iniciativë e Asamblesë e jo e ekzekutivit. Neziri kërkoi që një pjesë e kësaj shume t’i ndahet kompanisë “Pastërtia” e cila është duke bërë dezinfektimin e rrugëve dhe hapësirave publike.
“Kjo iniciativë duhet me u vlerësu si iniciativë e anëtarëve të Kuvendit Komunal, pasi kërkesa fillimisht ka filluar nga anëtarët e Kuvendit Komunal dhe ka qenë dashur të specifikohet kjo pasi ka qenë presioni i tyre për ndarjen e këtyre mjeteve. Sidoqoftë qëllimi është human dhe ne do ta mbështesim. Po ashtu, është e paqartë ku do të destinohen këto mjete, me u specifiku sa mjete do të shkojnë për familjet në nevojë, sa për dezinfektim të hapësirave, publike pasi ne e dimë që kompania publike “Pastërtia” ka bërë një punë të madhe këto ditë dhe inkasimi ka qenë shumë i vogël për atë kompani ku e dimë që ka një numër të madh të punëtorëve në atë kompani dhe si kanë me i siguru pagat për këtë muaj, kështu që kisha thënë që kompaninë “Pastërtia” me pas më me prioritet dhe një pjesë të mjeteve me nda për ata”, tha Neziri.
“Kemi thënë se jemi duke menaxhuar situatën dhe momentin që e shohim të arsyeshme patjetër se do të ftojmë një seancë të jashtëzakonshme kështu që kryetari e ka parë të arsyeshme në këtë kohë dhe e ka bërë propozimin, përndryshe unë kërkesë zyrtare nuk kam pas deri tash, megjithatë e di se janë mbledhur nënshkrime, por qëllimi është i përbashkët, me nda mjete dhe me iu ndihmu qytetarëve, ky është qëllimi i përbashkët”, tha Kristina Gashi-Bytyqi.
Mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës do të mbahet nesër në sallën e teatrit të qytetit “Adriana”.