Njëra ndër masat për t’u mbrojtur nga koronavirusi është edhe vendosja e dezinfektuesve të duarve në hyrje të bizneseve që janë duke operur këto ditë, e ku frekuentimi i qytetarëve është më i lartë. Kjo më së shumti vlen për marketet, barnatoret, por edhe për bankat të cilat nëpër bankomatet e tyre duhet të vendosin dezinfektues të duarve.
Inspektori i tregut, Besim Uruçi, tha se nëse hasin në ndonjë veprimtari që nuk ka vendosur dezinfektues tek hyrjet, do ta mbyllin atë.
“Subjektet afariste janë të obliguara të marrin të gjitha masat për t’u mbrojtur nga koronavirusi duke përfshirë edhe vendosjen e dezinfektuesve, në rast se nuk i vendosin, ato subjekte nuk i plotësojnë kushtet me zhvillu veprimtarinë, që do të thotë se do të merren masa ndaj tyre ose do të vendosen dezinfektues ose do të mbyllen ato subjekte”,tha Uruçi.
Një tjetër masë që duhet ta respektojnë bizneset është edhe dezinfektimi i shpeshtë i shportave dhe bankomatëve.
“Aktivitetet e fundit që janë marrë dhe që jemi duke përcjellur zbatimin e tyre është vendosja e dezinfektuesve në hyrje të marketeve, dezinfektimi i shpeshtë i shportave të blerjes, dezinfektimi i bankomatëve. Kjo është ndër masat që na kanë ardhë nga qeveria dhe që duhet të zbatohen për mbrojtje nga koronavirusi”,tha Uruçi.
Uruçi tha se çdo ditë inspektorët e Ferizajt janë në terren duke shikuar nëse janë duke u respektuar masat të cilat janë ndërmarrë për parandalimin e pandemisë Covid-19, ku shkelësve të masave tha se janë duke ua tërhequr vërejtjen, e në rast të përsëritjes së veprimeve janë duke iu shqiptuar gjoba.