Komuna e Ferizajt ka bërë reduktimin e stafit dhe shërbimeve nëpër departamente dhe njësitë komunale me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik.
Një veprim të tillë e kanë ndërmarrë edhe kompanitë publike në këtë qytet, si kompania “Pastërtia”, “Bifurkacioni”, “Ambienti” dhe ndërmarrja Stacioni i Autobusëve”.
Këto kopmani thonë se kanë zbatuar vendimin e qeverisë, mirëpo ende nuk e dinë se si do t’i paguajnë punëtorët të cilët i kanë dërguar në pushim. Përveç kësaj, ata shprehen të brengosur se nëse kjo situatë zgjatë me javë të tëra, do të kenë shumë telashe të funksionojnë, pasi ekzistojnë nga vetëfinacimi.
“Jo vetëm kompania “Pastërtia”, por të gjitha kompanitë regjionale të mbeturinave aktualisht janë në një situatë të pavolitshme, sepse inkasimet apo mjetet financiare që mbledhen nga qytetarët, amvisëritë dhe bizneset janë ndërprerë deri në fund të muajit prill dhe ne do ta kemi të vështirë operimin për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Ne jemi duke bërë përpjekje që në nivel të qeverisë ta sensibilizojmë këtë çështje pasi situata është shumë serioze dhe çështja e mbeturinave është me prioritet aktualisht. Një numër i caktuar i punëtorëve me vendimin e parë të qeverisë që i ka liruar njërin nga prindërit ka qenë e para, situata e dytë ka qenë vendimi i qeverisë që deri në fund të muajit prill qytetarët të mos bëjnë pagesa për shërbime komunale dhe në mënyrë automatike pjesën e inkasantëve kemi qenë të detyruar ta lirojmë, por pagesa do të rrjedh për ta, por nëse vazhdon kjo situatë rezerva nuk kemi, mirëpo shpresojmë që qeveria do të marrë ndonjë vendim në lidhje me këtë çështje sepse ne jemi me telashe”, tha Dukagjin Hetemi, drejtor i kompanisë së mbeturinave “Pastërtia”, në Ferizaj.
“Ne prej ditës që është lajmëruar gjendje e jashtëzakonshme të gjithë punëtorët që punojnë në parkingje i kemi dërguar në pushim, kurse ata që punojnë në hapësira të gjelbëruara kam bërë reduktim të tyre, edhe të administratës kam bërë reduktim, që do të thotë se financat nuk funksionojnë. Dhashtë Zoti që kjo situatë mos të zgjat shumë pasi ne do të kemi probleme financiare për punëtorët që punojnë, ndërsa për punëtorët të cilët janë në pushim për momentin jemi duke llogaritur që do të mundemi t’i paguajmë, por nëse kjo zgjat do të jetë problem t’i paguajmë se ne jemi me vetëfinancim. Ne do të bëjmë kërkesa tek qeveria, por dhe tek ajo lokale që të na ndihmojnë, megjithatë ne do të mundohemi që me rezervat që i kemi, këtë muaj t’i paguajmë së paku me 70%”, tha Faruk Hyseni, drejtor i kompanisë “Ambienti”.
“Kompania për momentin funksionon në mënyrë normale brenda rrethanave që jemi, prodhimi i ujit është në nivelin maksimal, qytetarët nuk kanë nevojë të kenë frikë sa i përket këtij aspekti, por sa i përket pagesës së punëtorëve duke marrë parasysh në rrethana që po operojmë ne nuk mund të themi asgjë, ne presim instruksione tjera nga qeveria e Kosovës. E dimë se qeveria ka ndërmarrë masa sa i përket shtyrjes së pagesave që në njëfarë forme ndikojnë në buxhetin e kompanisë pasi kompania është kompani që mban vetveten, por në bazë të informatave është konstatuar se do të ketë njëfarë lloj ndihme nga ana e institucioneve qendrore, pra jemi duke operuar në rrethana të jashtëzakonshme dhe asgjë nuk është e qartë, po ashtu edhe për pagesat e punëtorëve ende nuk dimë asgjë”, tha Besnik Aliu, sekretar i kompanisë së ujësjellësit dhe kanalizimit “Bifurkacioni”, në Ferizaj.
“Ne si stacion kemi marrë masat e duhura, kemi dezinfektuar komplet objektin, por kompanitë private nga e shtuna nuk kanë mbajtur asnjë linjë, kjo ka qenë shqetësuese edhe për ne, por ata nuk kanë pranuar dhe nuk mundemi as t’ua imponojmë, për momentin stacioni nuk funksionon, është shumë problematike pasi ne varemi nga këto furnizme. Punëtorët i kemi liruar të gjithë dhe u kam thënë që kjo nuk hyn as në pushimin vjetor, por as pa pagesë, por kemi shpresë tek institucionet që do të na ndihmojnë, ne nuk kemi rezerva për t’i mbuluar pagat”, tha Albulenë Çalaj, U.D e drejtorit të Stacionit të Autobusëve.
Si rezultat i situatës së krijuar nga virusi COVID-19, për probleme financiare janë ankuar edhe biznese të ndryshme që operojnë në vend.