Edhe këtë vit në të gjitha shkollat e
vendit ora e parë e mësimit i është kushtuar Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, përkatësisht sfidave dhe rrugëtimit të gjatë të UÇK-së deri te
shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Në 22 vjetorin e Epopesë së UÇK-së,
heroizmit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë dëshmorëve të
kombit, mësimdhënësit me shumë përkushtim ua shpjeguan nxënësve historinë,
sakrificën dhe vlerat e kombit shqiptarë.
Edhe pse janë gjeneratë shumë e re,
nxënësit e klasës së katërt të shkollës fillore “Jeronim de Rada” në
Ferizaj, kishin mjaftë informacione për Epopenë
e lavdishme të UÇK-së. Të nxitur nga mësuesja e tyre, ata patën shumë
përgjigje për emblemën e UÇK-së.
“Çka paraqet kjo foto?”, pyeti mësuesja, duke ua prezantuar nxënësve emblemën e UÇK-së.
“UÇK-në, lirinë, dashurinë për atdhe, luftën, dëshmorët të cilët luftuan për liri,
Adem Jasharin“,
ishin përgjigjet e nxënësve.
Mësuesja Nazmie Aliu, tha se është
mirë që mbahet kjo orë historike, pasi nxënësit duhet të dinë sakrificën e
familjes Jashari, por edhe të gjithë dëshmorëve të cilët na e sollën lirinë.
“Çdo përvjetor është bërë si traditë që ne të rikujtojmë luftën e lavdishme
të ushtarëve tanë të UÇK-së dhe pikërisht tek nxënësit mbjellim dashurinë kur
rikujtojmë sakrificën e familjes Jashari dhe flijimtarëve të tjerë. Nxënësit
kanë deri diku njohuri, por burimet kryesore i marrin nga shkolla“, tha
Aliu.
Edhe në klasën e tretë në këtë
shkollë, mësimdhënësi Agim Shehu u shpjegoi
këtyre filloristëve për historikun e datës 5, 6 dhe 7 mars.
“Është një emocion i veçantë, po festohet 22 vjetori i Epopesë së
UÇK-së dhe me nxënës po bisedojmë për atë se çka ka ndodhur para 22 viteve.
Këta të gjithë kanë lindur pas luftës, por disa kanë njohuri pasi familjarët e
tyre kanë qenë pjesëmarrës të luftës dhe janë në dijeni mjaftë shumë, dinë të
tregojnë se kush ka qenë UÇK-ja“, tha Shehu.
Mësimdhënësit Aliu dhe Shehu thanë se
në tekstet shkollore ende mungon historia për familjen Jashari dhe për UÇK-në,
gjë e cila, sipas tyre, duhet të bëhet sa më parë.
“Materiale kemi pak nëpër librat tona, po shpresojmë që në të
ardhmen do të ketë, megjithatë mësuesit e ngulitin thellë në zemrat e tyre dhe
në shpirtin e fëmijëve që mos të harrohet puna e lavdishme e UÇK-së, jam e
bindur që emblema e UÇK-së është e mbjellur
tani në zemrat e fëmijëve. Fatkeqësisht që nuk është deri më tani e shkruar, e që të paktën të jetë sado pak
voluminoz dhe do të ishte shumë e
mirëseardhur“, tha
Aliu.
“Mungojnë gjërat, por besoj se në të ardhmen do të shtypet më shumë
në librat tona dhe të mësohet më shumë për UÇK-në”, theksoi Shehu.
Se nxënësit
e shkollave fillore kanë të mbjellur në zemrat e tyre dashurinë për
vendin e dëshmojnë edhe punimet e ndryshme historike të tyre, të cilat janë të
vendosura në mure dhe nëpër dyer të klasave.