Bizneset e përfshira në rregulloren e
re e cila përcakton që dita e dielë të jetë ditë pushimi, e miratuar nga Kuvendi
Komunal i Ferizajt në seancën e fundit, kanë filluar që tani t’i pushojnë nga
puna punëtorët e tyre. Kështu tregon drejtori i Zyrës për Punësim në Ferizaj,
Naim Gashi, i cili thotë se telefonatat në kërkim të punës nga punëtorë që kanë
pësuar nga kjo rregullore, kanë filluar menjëherë pas mbajtjes së seancës.
“Ishte një sfidë jo e këndshme edhe pse ne në Zyrën e Punësimit kemi
vende të lira të punës dhe punëkërkues kemi më pak, mirëpo kjo i ka shqetësuar
tej mase sepse punëtorët që kanë punuar një kohë të gjatë apo janë mësuar të
punojnë në një rreth tani të largohen nga puna është një shqetësim i madh edhe
për ata edhe për ne si institucion. Të shtunën më kanë telefonuar, ata pritet që
gjatë javës të vijnë t’i shikojnë konkurset e hapura që janë nëpër lëmi të
tjera. Ka dallim shumë kjo ditë, sepse qarkullimi i parave është shumë, për
katër ditë brenda muajit që të dielën të mos qarkullojnë paratë tek bizneset
dhe normalisht që numri i punëtorëve tek këto biznese duhet të reduktohet pasi
që nuk mund të punoj një njeri 24 orë apo shtatë ditë të javës, por ato janë me
ndërrime, sipas kontratave me punëdhënësit dhe është shqetësuese sepse vetëm
një grup i bizneseve ka kërkuar që e diela të jetë pushim, ndërsa nuk i kanë
marrë parasysh as bizneset e vogla e as bizneset e mëdha”, tha Naim Gashi.
Ai thotë se kjo rregullore ndikon negativisht
në zhvillimin ekonomik të Ferizajt.
“Unë kam pasur rastin që gjashtë vite të jem udhëheqës i divizionit për
hulumtime dhe analiza të diasporës dhe kam vizituar vende të diasporës do të
thotë tërë Evropën dhe Amerikën, kështu që nuk mund të merret shembull
Gjermania, sepse nuk i kemi ende kushtet si në Gjermani ose të merret Amerika
që punon 24 orë shërbim. Vet komuna e Ferizajt para disa viteve për t’iu ofruar
shërbim 24 orë ka vendosur një kioskë para komunës që qytetarët të shërbehen me
certifikatat e lindjes dhe dokumentat e tjera në mënyrë automatike në formë
elektronike, do të thotë qëllimi është që t’u ofrohen shërbime qytetarëve 24
orë e jo të pushohet për shembull tërë dita e dielë dhe të mos punohet fare”, tha Naim Gashi.
Sipas kësaj rregulloreje, bizneset e
prekura janë të obliguara të harmonizojnë orarin e punës më së voni 30 ditë pas
hyrjes së saj në fuqi.