Kuvendi Komunal i Ferizajt
miratoi propozimin e kryetarit Agim
Aliu, që e diela të jetë ditë pushimi në Ferizaj për shumicën e veprimtarive
afariste të cilat operojnë në këtë qytet.
Pro këtij propozimi ishin 17 asamblistë nga pozita, me përjashtim të Ferat Nezirit, Gëzim Haxhimusës dhe Zymrije Haxhimusës. Kundër këtij propozimi votuan edhe asamblistët e LDK-së, pa përfshirë këtu Heset Shatrollin dhe Jehona Mustafën të cilët abstenuan. Kundër ishte edhe asamblisti i pavarur Nehat Mustafa, kurse anëtarët e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidati i pavarur Muhamet Halili abstenuan.
Por, para se të miratohej kjo rregullore
në Kuvend pati shumë debat. Në fillim kryesuesja e Kuvendit Komunal Kristina
Gashi-Bytyqi, tregoi se për këtë rregullore në komunë ka ardhë një peticion me 150 nënshkrime nga bizneset të
cilat janë shprehur kundër kësaj rregulloreje, për të cilin peticion ajo tha se
është i jashtëligjshëm. Njëjtë u shprehën edhe asamblistët e PDK-së, kurse opozita kërkoi që ai të shqyrtohet.
“Unë ju njoftova për këtë
peticion, kështu që ne si Kuvend e marrim vendimin se a do ta shqyrtojmë apo
jo, megjithatë nuk është i ligjshëm, të gjitha ato biznese që kanë nënshkruar
kanë nënshkruar në atë kohën kur ndoshta ka mundur të ketë ndonjë keqkuptim në
atë kohë të cilat tani janë ndryshuar dhe janë harmonizuar me kërkesat e
qytetarëve dhe grupeve parlamentare. Ky peticion është dashur t’i plotësoj
kriteret për diskutim, ato kritere janë: diskutohet në Kuvend kur nënshkruajnë
më shumë 10% të votuesve të komunës së Ferizajt, tjetër kriter është që çdo peticion
duhet përmbajë emrin dhe adresën e parashtruesit dhe nënshkruesit si dhe lëndën
e peticionit gjë që këtij peticioni i mungon lënda që duhet të jetë në çdo faqe
të nënshkrimeve. Drejtoria e Administratës duhet ta shqyrtoj brenda 30 ditëve
për vlerësim përpara se të dalë në Kuvend për hir të qytetarëve që të njoftohen
që e kemi këtë peticion dhe nëse nuk i plotëson këto kritere nuk është i
vlefshëm për diskutim”, tha Gashi-Bytyqi.
“Kemi të bëjmë jo me një peticion të thjeshtë, por me peticionin më
të rëndësishëm që vie nga fusha e biznesit që janë buka e përditshme e
qytetarëve të Ferizajt në vazhdimësi, pushteti komunal është i obliguar të
krijoj lehtësira për këto biznes edhe jo
të krijoj pengesa. Unë jam për atë që kjo çështje të trajtohet me shumë
seriozitet si pikë veçantë e rendit të ditës. Se nuk është e lehtë që 140
bizese t’i drejtohen Kuvendit dhe ne të jemi neglizhent”, tha Muharrem Svarqa nga LDK-ja.
“Nëse peticioni nuk është i ligjshëm ne nuk mund ta fusim në rend
këtë punë, por duhet ta kemi në konsideratë gjatë shqyrtimit të pikës, gjëra të
paligjshme në rend dite nuk mund të
fusim“, tha
Rafiz Sejdiu nga PDK.
“Ka pronarë këtu që i ka 15 biznese i ka shti përfaqësuesit me
nënshkru në mënyrë të detyrueshme”, tha Zekir Bytyqi.
Para kuvendarëve drejtori i Zhvillimit
Ekonomik Zekir Bytyqi, tregoi se çka parasheh Rregullorja për Caktimin e Orarit
të Punës së Veprimtarive Afariste dhe Veprimtarive të tjera në Ferizaj.
”Po i ceki sektorët më të rëndësishëm se kush punon dhe kush jo të dielave
pas miratimit të rregullores, të dielën dhe festave zyrtare nuk punojnë
industria prodhuese dhe përpunuese, ndërtimtaria, tregtia me shumicë dhe pakicë,
transporti dhe arsimi, ndërsa shoqëritë tregtare të sektorit të hotelerisë
restorantet, kafeteritë, argëtimi, rekreacioni, sallonet e floktarisë,
barnatoret, shitësit e derivateve të naftës mund të punojnë të dielave dhe
festave zyrtare sipas orarit të punës”, tha Bytyqi.
Opozita tha se kjo rregullore nuk do
të mbrojë të drejtat e punëtorëve, por do të dëmtoj zhvillimin ekonomik të
Ferizajt, si dhe do të lë pa punë dhjetëra punëtorë.
“Të flitet për të drejtat të punëtorve pa marrë mundin as minimal
për t’i mbrojtë ato të drejta është vetëm një fjalor populist. Çfarë arsye kanë
bizneset me kërku që e diela të bëhet
ditë pushimi kur askush nuk i obligon me punu të dielën, nuk ka ligj që i
obligon me punu“,
tha Muharrem Svarqa nga LDK.
“Nëse një ditë bëhet e lirë kjo nuk do të thotë që përmirësohet
gjendja e punëtorit, gjendjen e punëtorit e përmirëson vetëm respektimi i
ligjit të punës që e ka Kosova dhe komplet presioni jonë është dashur të
drejtohet në atë që të ketë presion në Inspektoratin Republikan të Punës që ata
ta respektojnë. Pse po lejoni me krahasu Ferizajn me komuna të vogla që fuqia
ekonomike e tyre nuk bën as sa një qendër tregtare që mundet me qenë në
Ferizaj. Nëse ky është interes i punëtorëve a thua krejt qeveritë që kanë
udhëheq me Kosovën janë kundër punëtorëve që nuk e kanë marrë një veprim të
tillë në nivel të Republikës”, tha Nehat Mustafa, kandidat i pavarur.
Kurse, anëtarë të pozitës miratimin e
kësaj rregulloreje e quajtën ditë të veçantë, disa treguan vlerësimet e ekspertëve
të huaj se si ndikon pushimi tek njeriu, e pati edhe të atillë që treguan dhe batuta.
“Unë e kam cilësu si një ditë të veçantë që do ta kemi sot para
vetës për me miratu një dokument shumë me rëndësi dhe disi po më duket si një
ditë pak sa më e veçantë dhe me të
vërtet është e veçantë e bën kjo nismë që e kemi para vetës. Është një
rregullore propozim dhe nismë e kryetarit për të vënë rend dhe rregull standard
dhe zbatim të së drejtës konform praktikave më të mira që e rregullojnë këtë
çështje“, tha Lulzim
Abazi nga PDK-ja.
“Pushimi zvogëlon stresin,
jep shans për të lëvizur, zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të zemrës, pushimi
rrit sistemin imunitar, koha aktive e pushimit shton vitet e juaja të jetës, jeni
më kreativ dhe më produktiv, do të përqëndroheni më mirë në punë kur e merrni
si ditë pushimi ditën e dielë, përmirëson kujtesën afatshkurtër dhe ju do ta
duani më shumë punën tuaj”, tha Hatixhe Qerimi-Bungu nga AAK-ja.
“Një batutë nga populli: I lëshojnë gjanë me i kullotë dhe lopa e
vranë lopën e Kadijës dhe shkon bariu i thotë Kadijës çka është me vra lopa
lopën, i thotë asgjë, është normale dhe kthehet i thotë po lopa jem e ka vra
lopën tane, i thotë e tash kadale se është lopë Kadije, e tash qeshtu i bjen se
çdo mendim i juaji i bjen që qeshtu duhet me ba se s’ban ndryshe”, tha Xhaferr Berisha nga Nisma Socialdemokrate.
“Duhet të jemi shumë të sinqertë dhe transparent se krejt kjo zhurmë
është duke u bërë për 20 markete apo qendra tregtare në qytetin tonë dhe nuk
mund të jenë ato 20 imponuese të një vendimi për 10 mijë të tjerë, sepse s’ka
asnjë kuptim“,
tha Xhavit Zariri nga AAK-ja.
Kuvendi Komunal i Ferizajt në
mbledhjen e sotme miratoi edhe disa propozim-vendime të tjera si atë për
rritjen e të hyrave vetanake për vitin 2019, vendimin për bartjen e mjeteve nga
viti 2019 në vitin 2020, po ashtu mori vendim që të jap në shfrytëzim dy
ngastra kadastrale një në Varosh dhe tjetrën në Babush të Ri. U mor vendim që rregullorja e komunës për
transparencë të bëj plotësim-ndryshim. U vendos që të dalë në diskutim publik
draft-statuti i galerisë së arteve “Ismail Rama” në Ferizaj, si dhe u
caktuan dy anëtarë nga Kuvendi për Komisionin për ndarjen e bursave për studentë
për vitin 2019-2020.