Organizata joqeveritare “Lëvizja
Fol” ka mbajtur debat me anëtarë të Kuvendit Komunal të Ferizajt dhe zyrtarë
të kësaj komune, ku temë diskutimi ishte ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve.
Yllka Buzhala, hulumtuese në këtë
organizatë, tha se ky ligj ka një rëndësi të veçantë prandaj duhet të gjejë
zbatim, pasi sinjalizuesit ndihmojnë në uljen e keqpërdorimeve në institucione,
integritetin financiar dhe sundimin e ligjit.
“Përfitues gjeneral janë publiku i gjerë, ne jemi taksapagues të
këtij vendi dhe me taksat e qytetarëve bëhen investimet e ndryshme dhe e kemi
obligim ne si shoqëri civile dhe publiku i gjerë me i monitoru investimet
publike që bëhen në Kosovë. Ligji është mjaft i ri, më herët ka qenë ligji për
informatorë, ne kemi lobuar shumë që të amandamentohen nene të caktuara të atij
ligji dhe jemi shumë të kënaqur që është bërë ligji i ri për mbrojtjen e
sinjalizuesve dhe ne jemi duke monitoruar zbatimin e këtj ligji i cili është duke
u zbatuar në masa të caktuara sa i përket emërimit të zyrtarëve përgjegjës
nëpër institucionet e Kosovës, por ka ngecur miratimi i një rregulloreje e cila
cakton punën e zyrtarëve përgjegjës se
si duhet trajtuar rastet e sinjalizimit në vendet ku ata punojnë prej kolegëve
apo personave të tjerë”, tha Buzhala.
Buzhala, tha se komuna e Ferizajt ka emëruar zyrtarin
përgjegjës i cili hulumton dhe trajton rastet e sinjalizimit, por mos hartimi i
akteve nënligjore ka bërë që puna e tij të mbetet në gjysmë.
“Komuna
e Ferizajt e ka emëruar zyrtarin përgjegjës që ka qenë obligative, që do t’i
trajtoj dhe hulumtoj rastet e
sinjalizimit, por deri këtu ka mbetur në përgjithësi, pasi ende nuk është bërë
drafti final i rregullores dhe nuk është miratuar kjo rregullore për shkaqe të
ndryshme si rrëzimi i qeverisë, por po shpresojmë që tani kanë me fillu punën
grupet e Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë që me miratu sa më shpejtë rregulloren
për zyrtarët përgjegjës se si me i trajtu rastet e sinjalizimit”, tha
Buzhala.
Ky projekt është i financuar nga
granti i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.