Shkolla e mesme e Agrobiznesit dhe e
Teknologjisë “Zenel Hajdini” në Ferizaj, ka bërë përurimin e ordinancës së parë
veterinare në Kosovë. Dobishmëria e kësaj ambulante veterinare do të jetë
kryerja e pjesës praktike nga nxënësit. Zëvendësdrejtoresha e shkollës “Zenel
Hajdini”, Zebibe Imeri, e quajti shembull një ordinancë të tillë edhe për
shkolla e tjera të Kosovës.
“Hapja e kësaj ambulance është një sfidë në vete pasi që është e para e
këtij lloji në shkollat e mesme të Kosovës, por jemi të bindur që do të jetë
shembull edhe për shkollat tjera e kjo falë punës dhe përkushtimit të kuadrit
profesional që ka kjo shkollë e që do të na e kishin lakmi edhe institucionet më të larta të
shkollimit. Kjo ambulancë u realizua me ndihmën dhe angazhimin e drejtorit të
Bujqësisë Burim Bajramit, drejtorit të Arsimit Afrim Llabjanit dhe drejtoreshën e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku. Me këtë investim nxënësit
e diplomuar në këtë shkollë kanë mundësinë të dalin të përgatitur për tregun e
punës”, tha Zebibe
Imeri.
Në përurimin e kësaj ambulance ishte
edhe kryetari i Ferizajt Agim Aliu, i cili tha se kjo ditë është e rëndësishme
për arsimin në gjithë Kosovën.
“Unë uroj edhe nxënësit të cilët do të jenë përfituesit kryesor të hapjes
së kësaj ambulance që vërtetë të marrin mësime të duhura dhe që të realizojnë
atë pjesë të agjendës tonë qeverisëse, por mbi të gjitha atë agjendë dhe atë
vizion të së ardhmes për të ndërtuar atë që i duhet sot Ferizajt dhe që i duhet
Republikës së Kosovës”, tha Agim Aliu.
Heset Vranovci, mësimdhënës i
veterinarisë në këtë shkollë, tha se realizimi i praktikës në këtë ambulancë të
re është lehtësim për ta.
“Nxënësit e profilit të
veterinarisë do të kenë mundësinë që të njihen për së afërmi me produktet e
ndryshme të trajtimit të kafshëve qoftë me anë të mjekimeve terapeutike apo
ndërhyrjeve të ndryshme kirurgjike të cilat do të realizohen nga profesorët e
nderuar të veterinarisë, pjesë e personelit të shkollës sonë dhe të cilët përveç
gradave akademike, doktorë shkence, gjithashtu kanë edhe një eksperiencë të
gjatë praktike në fushën e veterinarisë. Të gjitha ndërhyrjet që do të bëhen
tek kafshët do të jenë në përputhje të plotë me planprogramin e praktikës
profesionale dhe do të jenë ndërhyrje profesionale të cilat nuk cenojnë të
drejtën e jetës dhe lirisë së këtyre kafshëve”, tha Heset Vranovci.
Investimi në këtë ambulancë veterinare
ka kushtuar rreth 10 mijë euro.