Connect with us

Ferizaj

Nuk fitohen votat duke e shkelur Kushtetutën

Published

on

         U bënë gati një vit prej se kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka filluar ta “shtyejë” përpara një rregullore, sipas të cilës Komuna do ta “mbikqyrte” zbatimin   e të drejtave të punëtorëve, duke e krijuar një sistem të kufizimit të orarit dhe ditëve të afarizmit në territorin e kësaj komune.

        Është për t’u habitur se si brenda 8 vitesh mund të transformohet një udhëheqës, nga kryetari i cili në vitin 2012 u pat marrë si shembull nga USAID për krijimin e ambientit më të volitshëm biznesor, në një politikan pa vizion, i cili krijon politika të kundërta me sistemin juridik të vendit tonë, në dëm të afarizmit lokal dhe krijimit të vendeve të punës, e në ndërkohë, që e keqpërdorë hallin e punëtorëve të shkelur nga punëdhënesit e tyre.

        Se ka shkelje sistematike të të drejtave të punëtorëve në Ferizaj, është një fakt që është dëshmuar në shumë raste, qoftë tek industria e ndërtimit, ajo e shërbimeve, në fushën e tregtisë, por pa përjashtuar këtu edhe administratën komunale e publike. E dinë vetë pronarët e bizneseve, e besa edhe taksapaguesit se sa ju kanë kushtuar gjobat dhe vendimet gjyqësore nga shkeljet e tilla.

     Mosbindja e disa punëdhënësve për të respektuar të drejtat e punëtorëve të vet, flet se sistemi i establishuar i inspektoratit të punës nuk është kah funksionon, qoftë për arsye të mungesës së kapaciteteve njerëzore,  qoftë për shkak të interasave politike-klanore, apo ndoshta për shkak të korruptimit të njerëzve në krye të tij.  Shteti duhet të reagojë në këto raste, por në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe patjetër, të bazuar në ligj.

         Po të ishte kryetari i Komunës së Ferizajt aq i brengosur për të drejtat e punëtorëve në sektorin publik e privat, që moti do të kërkonte nga qeveria delegimin e kompetencave të inspektoratit të punës nga niveli qendror në atë lokal, sepse ne raste të tilla të mosfuksionimit të sistemit, ligjet tona pozitive e mundësojnë në gjë të tillë. Nuk është bërë as përpjekje në këtë drejtim, e lëre më të ndahet buxhet lokal për punësimin e inspektorëve të ri me kompetenca të deleguara nga qendra, që do t’i jepnin llogari qytetit dhe jo ndonjë funksionari të korruptuar në Prishtinë.  

       Më shumë gjoba sistematike për bizneset që shkelin të drejtat e punëtorëve, me siguri se do të prodhojnë jetë më të mirë për punëtorët. Por improvizimet e zgjidhjes së problemeve, dhe mënyrën se si kryetari i Ferizajt po i qaset kësaj problematike, vetëm shkaktojnë telashe më të mëdha për të gjithë.

        Dje Autoriteti i Konkurrencës foli për këtë punë.

       Ndërhyrja e komunave në afarizëm është shkelje e konkurrencës, prandaj është në kundërshtim me rregullimin tonë kushtetues dhe sistemin ekonomik në vend.  Me siguri se për këtë dilemë, së shpejti do të flasë edhe Gjykata Kushtetuese, pas një ankese eventuale të cilitdo biznes individual apo shoqërie, të cilit-ës i është kufizuar e drejta e punës me “Rregulloren për Përcaktimin e Orarit të Punës së Veprimtarive Afariste në territorin e Ferizajt”.  Nëse në ndërkohë nuk ju ka rënë në mend kjo ide pronarëve të bizneseve apo zejtarëve nga Vushtrria e Gjilani, të cilët tashmë po “disciplinohen” nga komunat e tyre me metoda të ngjashme.

         Jam laik në lëminë e legjislacionit, mirëpo juristët e zyrës ligjore të komunës me siguri e dinë se kur është miratuar Kushtetuta e Republikës, me automatizëm janë shfuqizuar të gjitha aktet juridike paraprake apo nenet e tyre të cilat bijnë  në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës së re apo që e kundërshtojnë frymën e saj.  Kjo vlen edhe për bazën juridike të rregullores së propozuar nga ekzekutivi për miratim nga Kuvendi i Ferizajt. Avokatëve të komunës duhet rikujtuar se vendi i punës ruhet duke e mbrojtur ligjshmërinë, integritetin profesional dhe personal pa kompromis, edhe në zyre por edhe në Gjykatë nëse është nevoja.  Ata duhet ta frenojnë kryetarin dhe kuvendin kurdoherë që hyjnë në “dritë të kuqe”.

    Kryetar, duhet angazhim i vërtetë dhe buxhet për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, dhe jo improvizime të jashtëligjshme.  Askush pastaj s’ka kohë për të dëgjuar arsyetimet e tipit ”Po mundohem për ju, por ata s’po më lënë!”.

Nuk fitohen votat duke e shkelur Kushtetutën.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Është ndarë nga jeta mjekja e mirënjohur ferizajase Dr. Rushe Ramadani Rushiti

Published

on

Është ndarë nga jeta mjekja e mirënjohur ferizajase Dr. Rushe Ramadani Rushiti.

Lajmi u bë i ditur nga familjarët dhe kolegët në rrjetin social Facebook.

Dr.Rrushja kreu studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës kurse specializimin për Obstetrikë-Gjinekologji e kreu në Tiranë.

Punën si mjeke e përgjithshme ajo e filloi në vitin 1984 në maternitetin e Shtëpisë së Shëndetit në Ferizaj kurse pas largimit nga puna nga organet e dhunshme serbe vazhdoi punën në maternitetin e improvizuar “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Pas çlirimit,  Dr.Rrushja vazhdoi punën në Spitalin e Ferizajt ku organizoi funksionalizimin e Repartit të Gjinekologjisë kurse vitet e fundit ishte angazhuar në poliklinën “Zeka” në Ferizaj.

Mbledhja komemorative për Dr. Rushe Ramadani Rushiti do të mbahet të shtunën (12 prill 2025), me fillim në ora 11:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.

Continue Reading

Ferizaj

Të shtunën disa fshatra të regjionit të Ferizajt do të mbeten pa rrymë

Published

on

Të shtunën (05.04.2025) disa fshatra të regjionit të Ferizajt do të përballen me ndërprerje të planifikuar të energjisë elektrike, si pjesë e punimeve për mirëmbajtjen e rrjetit.

Sipas njoftimit nga KEDS, ndërprerja do të zgjasë nga ora 09:30 deri në 14:30 dhe do të prekë fshatrat Greme, Gaçkë, Burrnik, Izhancë, Kashtanjevë, Bajincë, Semajë, Prushaj dhe Sllatinë si dhe disa biznese private në këto zona.

Ndërhyrja teknike përfshin ndërrimin e shtyllave dhe izolatorëve të dëmtuar, shtrëngimin e përçuesve dhe pastrimin e trasesë për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të rrjetit elektrik.

Continue Reading

Ferizaj

Arrestohen edhe dy persona për vjedhjen në Dremjak të Ferizajt

Published

on

Policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë të moshës së mitur të cilët ishin në kërkim për vjedhje të kryer në fshatin Dremjak, komuna e Ferizajt. Kështu numri i të arrestuarve për këtë vjedhje arrin në 5, pasi më 31 mars ishin arrestuar në flagrancë 3 të dyshuar.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se më 1 prill, me urdhër të prokurorit të shtetit dhe me pëlqimin e familjarëve, njësia e hetimeve të stacionit policor në Ferizaj, ka kryer bastisje në fshatin Talinoc i Muhaxherëve.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar përkohësisht disa stoli ari, të cilat pritet të krahasohen me rastet e raportuara të vjedhjeve në Ferizaj.

Si rezultat i këtyre bastisjeve, janë arrestuar dy të dyshuarit e fundit: E.H., 16 vjeç dhe V.L., poashtu 16 vjeç derisa mԯ herët janë arrestuar edhe A.H., 24 vjeç, A.H., 20 vjeç dhe E.S., 16 vjeç.

Me vendim të prokurorit të shtetit për të mitur, të dyshuarit janë ndaluar për 24 orë, thuhet në njoftimin e policisë.

Continue Reading

Trending