Komuna e Ferizajt u ka bërë thirrje
qytetarëve që të raportojnë rastet nëse punëtorët e saj nuk ndodhen në vendin e
tyre të punës gjatë orarit zyrtar.
Albion Sherifi, zyrtar për
marrëdhënie me publikun, tha se kjo masë është bërë për t’i disiplinuar
zyrtarët e pandërgjegjshëm.
“Është një masë e shtuar me efekt në rritjen e disiplinës së punës
në mesin e administratës komunale, por edhe gjithë institucioneve të tjera që
janë në vartësi të komunës. Ky njoftim është lëshuar sot nga kryetari i komunës
që të ruhen shërbimet komunale dhe të mbrohen nga zyrtarët eventual të papërgjegjshëm
në orarin e tyre të punës, kjo masë paralajmëron masa ndëshkuese dhe disiplinore,
por edhe ndëshkime përmes pagesës, në këtë rast përmes prekjes direkte në
xhepin e zyrtarëve të pandërgjegjshëm“, tha Sherifi.
Edhe pse zyrtarët kontollohen në
formë elektronike, Sherifi thotë se kjo nuk mjafton prandaj e kanë vendosur
këtë masë shtesë.
“Ka pasur një varg masash që janë ndërmarrë nga qeverisja lokale,
nuk mbetet më vetëm pjesa e kontollës nga ana e organeve të administratës
komunale, por është zgjeruar edhe tek denoncimet e qytetarëve, ne kemi formën e kontollit direkt
përmes ID kartelave që identifikohen të gjithë punëtorët se kur janë larguar,
por edhe kjo formë e denoncimit është një formë më e shtuar e disiplinës, që
është një kontroll direkt përmes qytetarëve”, tha Sherifi.
Sherifi, tha se janë duke shqyrtuar
mundësinë që t’i shpërblejnë qytetarët të cilët denoncojnë zyrtarët komunal që
gjenden jashtë vendit të punës pa ndonjë arsye.
Kjo thirrje vlenë për të gjithë
punonjësit e administratës komunale, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare
përfshirë QMF-të, AMF-të, Qendrës për Punë Sociale, Brigadës së Zjarrfikësve
dhe institucioneve të tjera që janë në vartësi të komunës.