Në sheshin e qytetit të Ferizajt
është duke u mbajtur panairi i prodhimeve ushqimore dhe veshmbathjeve
tradicionale organizuar nga shoqata “Doroci” nga Mitrovica. Pjesëmarrëset e këtij
panairi thonë se qëllimi i këtij organizimi është ruajtja e traditës së
prodhimeve vendore nga prodhuese të ndryshme të Kosovës.
Njëra ndër kultivueset është Zylfie
Vogliqi nga fshati Gërlicë, e cila merret me gatime të ëmbëlsirave, për të
cilat thotë se interesimi i qytetarëve nuk mungon.
“Është shumë mirë organizimi, mbledhemi ne gratë këtu dhe tregojmë
produktet tona. Të gjitha janë tradicionale dhe të gjitha janë bio, ne vetë i
bëjmë, si turshi e këso gjërash, janë të gjithë të interesuar. Unë në
përgjithësi merrem me gatime, me bylmete, mirëpo këtu ka nga turshitë, ka
aroni, janë të gjitha, rroba”, tha Zylfie Vogliqi.
Violeta Murati, përfaqësuese e
ndërmarrjes kultivuese të lëngjeve të aronisë “Kastrioti” nga Podujeva, thotë
se këto lloj panaire u mundësojnë komunikimin më të lehtë për benefitet që kanë
këto lloj prodhimesh tek qytetarët.
“Ne jemi kultivues dhe përpunues të lëngjeve natyrale të aronisë,
manaferrës dhe të boronicës. Punojmë me të gjitha produktet natyrale që janë pa
sheqer, pa konservans edhe po është një produkt që po e marrin njerëzit edhe
për qejf, por edhe më shumë për efektet shëndetësore që i ka. Për aroni për
shembull është për kolesterol, është për
tension, për diabet, është për pagjakësi, është për migrenë, mandej është
manaferra për shikim kush ka problem, kush ka mungesë të vitaminës C,
imunitetit të dobët, boronica është për veshkë, ka shumë efekte shëndetësore”, tha Violeta Murati.
Në këtë panair ka interesim edhe për
veshmbathje të punuara me dorë, prej të cilave punuese e tyre është Emine
Tahiri nga shoqata “Gratë e Minatorëve” nga Trepça.
“Kemi tradicionale, kemi moderne, kemi ushqim, çdo punëdore që e bëjnë
gratë e kemi. I kam edhe 15 anëtare që punojnë, janë punime të tyre, i marrim, i
promovojmë, i shesim. Ka deri dikund të interesuar, përpara ka pasur më shumë,
tash më pak, por mirë është. 100% është më kualitet këto që i punojmë ne dhe më
i mirë, por vlerën nuk ia dijnë sepse edhe mundësitë e bëjnë të vetën, si në
Kosovë, si gjithkund thuajse më shumë papunësi se me punë. Ne do të vazhdojmë
deri sa jemi të shëndetshëm, mirëpo kur nuk kemi shëndet atëherë duhet të
dorëzohemi”, tha
Emine Tahiri.
Interesimi i qytetarëve ferizajas për
këtë panair ishte mjaftë i lartë.
“Më interesoi të pyes diçka për punimet e vjetëra që janë. Më shumë më
pëlqeu të shikoj këto punimet e vjetëra sepse edhe gjyshja ime i ka punuar
këto, është një mallëngjim” tha Hajrush Sylejmani.
“Nuk e di se çka të them, kur qëlloj këtu në këto panaire marrë diçka.
Janë më të shëndetshme, kur gjej kështu në këto tregje i marrë, i vlerësoj.
Zakonisht i bëjmë edhe ne vetë, kur është koha e turshive. Për çdo herë kur jam
këndej dhe janë këtu vijë marrë ose mjaltë ose diçka”, tha Fadil Tërpeza.
Panairi i veshmbathjeve dhe ushqimeve
vendore në sheshin e Ferizajt do të mbahet deri nesër në mbrëmje.