Për herë të parë që nga paslufta
komuniteti ashkali nuk do të jetë i përfaqësuar në Qeverinë e Kosovës.
Ishte dje deputeti i Partisë së Ashkalinjve
për Integrim, Etem Arifi, i cili është edhe kryetar i kësaj partie, ai që nuk e
votoi qeverinë e re të Albin Kurtit, duke mbetur kështu në opozitë.
Qazim Rrahmani, kryetari i PAI-së në
Ferizaj, thotë se deri në momentin e fundit ishin në bisedime me koalicionin
qeverisës, mirëpo nuk arritën marrëveshje duke bërë kështu që të mbesin në
opozitë.
“Pas certifikimit të
zgjedhjeve ne kemi ofruar kërkesat tona për t’u bërë pjesë e ekzekutivit me
partitë fituese LVV-LDK, normalisht parimi i PAI-së ka qenë që të kemi një
pjesëmarrje më të madhe në ekzekutivin e qeverisë dhe një përfaqësim më të mirë
pasi komunieti ashkali është i shkelur nga të gjitha qeveritë në aspektin e
përfaqësimit në ekzekutiv për arsye që gjithmonë pozitat ministrore dhe
zëvendësministrat kanë pasur më shumë komunitetet e tjera krahasuar me
komunitetin tonë. Për ne nuk ka qenë edhe shumë parim pozita sa ka qenë parim
që të përmirësohet gjendja e komunitetit tonë dhe normalisht ata kanë pasur
zotime në mënyrë deklarative, por nuk ka pasur diçka me shkrim që do të ishte
bindëse për ne që të jami pjesë e qeverisë, ne edhe në ditën e fundit të
seancës jemi munduar në momentet e fundit që të gjejmë një gjuhë të përbashkët,
por në fund nuk arritëm të gjejmë atë dhe tani jemi pjesë e opozitës
momentalisht”, tha
Rrahamani.
Rrahmani, beson se mandatari i ri nuk
do të lë anash komunitetin ashkali, përkundër që përfaqësuesi i tyre në Kuvend
nuk e votoi qeverinë e re.
“Unë besoj që ata e njohin mirë gjendjen e komunitetit tonë dhe për
shkak se ka ndarje në ideologji politike nuk besoj se duhet t’i dënojnë qytetarët pse ne nuk jemi
pjesë e pozitës dhe mos të kenë qasje më të mirë për këtë komunite, unë shpresoj
dhe besoj se ata do të kenë qasje të drejtë me të gjithë qytetarët pavarësisht se
liderët tanë janë pozitë apo opozitë, shteti i Kosovës është formuar në bazë të
etnicitetit dhe në Kushtetutën e saj për të drejta të barabarta për të gjithë
dhe besoj se kjo do të respektohet“, tha Rrahmani.
Kryetari i PAI-së në Ferizaj dhe ish-zëvendësministri në tri mandate
qeverisëse, u shpreh se do të ngrisin
zërin e tyre për të përmirësuar mirëqenien e këtij komuniteti.