Përpos kushteve të rënda ekonomike, 62
vjeçari Adem Mustafa nga fshati Pleshinë i komunës së Ferizajt, ka probleme
edhe me të pamurit. Para se të bëhej rrënimi i objektit të Shoqatës së Pensionistëve,
ai qëndronte aty ku edhe gjente përkujdesje, mirëpo tani askush nuk kujdeset për
të për shkak të largësisë nga qyteti.
“Shtëpinë e kanë ndërtuar për mua, por shtëpia nuk të jep vetë bukë për
të ngrënë. Kam qenë në konvikt të pensionistëve, kam paguar punëtore, është
përkujdesur për mua, vet e kam paguar. Ka ardhur kryetari i Shoqatës së Pensionistëve,
më ka thënë duhet ta paguaj, dy muaj e kam paguar unë, të tjerat ia ka dhënë
dikujt tjetër, një gruas, më ka thënë të mos t’ia jap atij, por asaj gruas. Me
pension tim e kam paguar të gjithë unë, e kam paguar qiranë, e kam paguar
punëtoren”, tha Adem
Mustafa.
Ai tha se ka qenë edhe në shtëpinë e
të moshuarve në Prishtinë, mirëpo nuk i kanë bërë zgjidhje, për shkak se ende
nuk i ka mbushur 65 vjet.
“Për bukë e marrë këtë vajzën e vëllait, fqinjët më kanë ndihmuar, drunjtë
m’i ka dhënë një fqinj pa para. E kam dokumentin unë nga mjeku se duhet pasur
përcjellje. Kam qenë në klinikë gjermane, nëpër klinika të Evropës, por nuk ka
sukses. Kam qenë në Prishtinë, tek shtëpia e të moshuarve, më kanë thënë do të të
pranojmë, vetëm dokumentet na duhen, mirëpo në tjetrën anë më thonë në telefon se
më duhet t’i mbush 65 vjeç, nuk e di ku është çështja”,
tha Adem Mustafa.
Ndërsa, Ismajl Bekteshi, zyrtar në
Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, duke mos dashur të flas para kamerës, përmes
telefonit tha se qytetari në fjalë nuk i
ka plotësuar kushtet për t’u pranuar në shtëpinë e të moshuarve.
“Ne kemi bërë përpjekje për të vendosur këtë person në shtëpinë për të
moshuarit dhe përkujdesje familjare, ia kemi përgatitur dokumentacionin dhe
është dërguar lënda për dhënie të mendimit dhe divizioni për vendosje instuticionale në Prishtinë, mirëpo është
refuzuar për shkak se nuk e ka plotësuar një kriter që është nën moshën 65
vjeçare”, tha Ismajl
Bekteshi.
Ndër kriteret tjera që duhen plotësuar
për t’u vendosur në shtëpinë e të moshuarve janë të qenit banor i Kosovës, të
mos kenë pasardhës djalë, të jetë në gjendje të mirë psikike dhe të mos ketë
sëmundje infektive.