Familja Demiri nga fshati Bibaj i
Ferizajt sot e pati një gëzim të madh. Kjo familje në këto ditë feste u bë me
shtëpi të re falë shoqatës humanitare ”Feniks” dhe bashkëatdhetarit Faik
Misini.
Donatori nuk pranoi të flas para kamerës për kontributin e tij, mirëpo teksa mori mirënjohje nga shoqata ”Feniks” u emocionua shumë.
Kryetari i shoqatës humanitare
“Feniks” Milaim Jashari, u shpreh falënderues ndaj donatorëve të cilët
bashkëpunuan me ta, duke thënë se kjo familja ka kohë që kishte kërkuar ndihmë,
por që pa donatorë e kishin të vështirë
të nisnin ndërtimin e shtëpisë për këtë familje.
“Po shihet gëzimi i kësaj familje, është Faik Misni që ka kontribu
me 12 mijë e 500 euro dhe ne si shoqatë e kemi marrë përsipër. Kjo familje
kishte nevojë më herët dhe Faiku e gjeti këtë familje dhe për një muaj arritëm
ta ndërtojmë shtëpinë. Është një gëzim shumë i madh i të gjithëve edhe i
donatorëve, por edhe i familjes”, tha Jashari.
Ndërtimin e kësaj shtëpie më së
shumti e mirëpritën anëtarët e familjes
Demiri. Kryefamiljari Hasret Demiri, tregoi se deri sot kanë jetuar në
kushte të rënda, e më vështirë thotë se e kishte djali i tyre i cili është me
nevoja të veçanta.
“Falënderoj ”Feniks”-in, e
kam pasur jetën shumë të vështirë, falënderoj të gjithë donatorët, e kam djalin
në karrocë, nuk kemi pasur as banjo siç duhet, nuk ka pasur kushte. Më mirë nuk
jam ndjerë asnjëherë sikur sot“, tha Demiri.
Për t’ua lehtësuar edhe më shumë jetën kësaj
familje, kryetari i shoqatës “Feniks”, pati edhe një kërkesë për udhëheqësinë
e Ferizajt.
“Kam një kërkesë nga Kuvendi Komunal që këtë rrugë ta ndërtoj, pasi
kjo familje e ka shumë të vështirë të lëvizë, pasi e ka djalin në karrocë dhe e
ka shumë të vështirë lëvizjen”, tha Jashari.
Përpos ndërtimit të shtëpisë për familjen
Demiri, shoqata “Feniks” gjatë veprimtarisë së saj ka ndërtuar edhe 5
shtëpi të tjera dedikuar personave me aftësi të kufizuara. Shtëpinë për
familjen e Ruzhdi Sallahut, Emin Hajdarit, Bajram Xhoklit, Lumnije Rulanit dhe
familjen e Agim Tërstenës.