Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar
30 vjetorin e themelimit të saj. Me këtë rast, kryetari i degës së LDK-së në
Ferizaj, Muharrem Svarqa, tha se ky përvjetor shënon suksesin e të gjithë
veprimtarëve të LDK-së.
“Pa përjashtim dega e Lidhjes Demokratike në Ferizaj është pjesë
rrjedhëse e këtij kontributi, e këtij angazhimi dhe vazhdon edhe sot të mbetet
njëra nga degët e rëndësishme të Lidhjes Demokratike duke qenë njëra nga degët
stabile pavarësisht disa baticave dhe zbaticave që ka pasur ngritje dhe rënie që
shpeshherë këto ndodhin në politikë dhe janë të natyrshme, por që edhe i ka
dhënë Lidhjes Demokratike figura të rëndësishme, por edhe ushtrim të funksioneve
me rëndësi edhe në ekzekutiv, por edhe në legjislativ si dhe në organet ekzekutive
të partisë në kryesinë e Lidhjes Demokratike dhe në Këshillin e Përgjithshëm që
është organi më i lartë i Lidhjes Demokratike, ka pasur figura të rëndësishme përfaqësuese
të degës së LDK-së së Ferizajt dhe qytetarëve të saj dhe besoj që të gjithë
këta duhet nderuar, duhet respektuar, shfrytëzuar përvojën e tyre për të mirën
dhe të ardhmën tonë të përbashkët”, tha Muharrem Svarqa.
Njëri ndër themeluesit e LDK-së në Ferizaj, Shyqeri Hyseni, këtë parti tani e sheh të degraduar.
“Degradimi i LDK-së vërehet edhe në qeverisjet, po e marrim qeverisjen në
Ferizaj ku Ferizaj me 110 mijë banorë detyrohet ta marrë Svarqën për kryetar
nga Gjermania, thua se në Ferizaj nuk ka gra dhe burra që mund të emërohen për
kryetar të Lidhjes Demokratike të Ferizajt dhe më e keqja qeverisja ferizajase
dy ditë para se të përfundon qeverisjen e saj lëshon 30 leje ndërtimi të këtyre
soliterëve e rokaqierëve të cilët e kanë zënë rrugën, të cilët e kanë degradu
skajshmërisht Ferizajn dhe shtrohet pyetja cila është LDK-ja, absolutisht
asnjëherë nuk them se në LDK nuk ka gra dhe burra të mirë të cilët me të vërtet
ia dëshirojnë të mirat shtetit, së pari
qytetit të vet e edhe vetvetës”, tha Shyqeri Hyseni.
Ndërsa, për koalicionin e mundshëm në
mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes, kryetari i LDK-së në Ferizaj Muharrem Svarqa,
tha se të dyja partitë duhet të jenë serioze në arritjen e marrëveshjeve në mes
tyre.
“Të gjithë ne kemi përgjegjësi që të sillemi me seriozitet të plotë
konform këtyre pritjeve, por edhe konform shpërndarjes së pushtetit në mënyrë
që edhe në ndonjë të ardhme eventuale të mos bëhet koncentrimi i pushtetit
vetëm në një parti politike, sepse nga përpjekja për kapjen e pushtetit atëherë
krijohen mundësi për kapje të reja të shtetit nëse koncentrohen këto pushtete
në një parti politike. E them këtë sepse edhe po të ishte Lidhja Demokratike
fituese e këtyre zgjedhjeve unë do të isha një luftëtar i drejtëpërdrejt i asaj
që në këtë rast, për shembull presidenti, nëse do të ishte kryeministri i
Lidhjes Demokratike pas fitores eventuale do të insistoja që presidenti të
ishte nga radhët e partnerit të koalicionit”, tha ai.
Me rastin e këtij përvjetori jubilar
të LDK-së, anëtarë të kryesisë dhe struktura të LDK-së kanë bërë homazhe tek
varri i ish-presidentit të Kosovës Dr.Ibrahim Rugova.