Kisha protestante Alfa-Omega në
Ferizaj është përgatitur për të shënuar festën e Krishtlindjes. Pastori Nazmi
Berisha nga Kisha Alfa-Omega, tha se në natën e Krishtlindjes do të jenë në
sheshin e qytetit duke uruar të gjithë ata që e kremtojnë këtë festë.
“Me datën 24 në mbrëmje do të jemi një grup që do të dalim në shesh vetëm
për të uruar njerëzit për Krishtlindje, njerëzit që kalojnë dhe për të shprehur
gëzimin edhe festën e Krishtlindjes me qytetarët që do të jenë në shesh, me
datën 24 nga ora 18:00 deri në 20:00 do të jemi një grup atje në shesh në
qendrën kryesore. Kurse, më 25 pastaj kemi një si drekë familjare ku e mbajmë
me anëtarët e komunitetit tonë, ku ndajmë edhe ushqime, dhurata së bashku duke
festuar me njëri tjetrin festën e Krishtlindjes”, tha Nazmi Berisha.
Pastori Berisha, tha se për të ndarë
gëzimin e festave kanë shpërndarë dhurata për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Në prag të festës së Krishtlindjes ne organizojmë aktivitete të ndryshme, por këtë vit kemi qenë më të kufizuar për shkak të hapësirës dhe nuk kemi organizuar shumë aktivitete, por dy gjëra që do të doja t’i theksoja janë një aktivitet që kemi organizuar me dhurata, sepse dhurata është simbol i festës së Krishtlindjes dhe kemi shpërndarë në dy vende dhurata, në qendrën e Down Syndrome dhe në Qendrën e përkujdesjes ditore ”Pema” për fëmijët me nevoja të veçanta, duke ndarë gëzimin e Krishtlindjes bashkë me këta fëmijë me nevojë”, tha Nazmi Berisha.
Pastori Nazmi Berisha, uroi
ferizajasit për festën e Krishtlindjes duke thënë se lindja e Jezu Krishtit
është dhuratë nga Zoti.