Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga
procesi zgjedhor, ndërsa partitë fituese ende nuk janë dakorduar rreth formimit
të qeverisë.
Njohësit e zhvillimeve politike në
Ferizaj, konsiderojnë se veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes
Demokratike të Kosovës janë zhgënjyese për elektoratin.
“Qytetari ka ardhë deri tek një nivel i fundit i pritjes, pasi nuk është
vetëm problemi i mosbërjes së qeverisë, sa është problemi i reflektimit të
mosaftësisë së bërjes së qeverisë në
kuptimin e lojërave matematike politike, për arsye se kjo votë si asnjëherë
tjetër ka shprehur vullnetin për ndryshime esenciale që është menduar se do të
përcillen edhe me vullnete politike të partnerëve të rinj për koalicion, por e
cila gjë doli që mos të jetë kështu. Në qoftë se i kthemi së kaluarës, koalicionet qeverisëse
nuk kanë reflektuar një pjekuri të një mendtë politike, nuk kanë treguar një
kapërcim real të këndvështrimeve të tyre provinciale prandaj dhe skema politike
e jonë ka rrezikuar shpeshherë që të jetë e barrikaduar në bazë të interesave
klanore apo rajonale, kështu që na janë formuar edhe parti rajonale e grupe të
interesit që shpeshherë po dominojnë mbi interesin e përgjithshëm dhe në këtë
kurth ka rënë edhe LDK dhe LVV. Kjo vonesë i ka zbehur këto dy subjekte, unë
shoh një tendencë të krijimit të një alibie morale se cili është fajtori nëse
nuk arrihet koalicioni”, tha Afrim Demiri.
“LDK është partia e vetme shtetformuese dhe më vjen keq që me një kulturë
të tillë politike krerët e saj nuk e gjejnë një zgjidhje në raport me
Vetëvendosjen. Në anën tjetër, VV është parti e pa provuar në pushtet dhe është
dashur të gjej një gjuhë të kompromisit, sovrani i ka dhënë përparësi por është
një hipokrizi e pashpjegueshme nga ana e LDK-së që ta shantazhoj partnerin që
mendon të qeverisë, në anën tjetër është e pakuptimtë kryeneçësia e VV-së që nuk don
të lëshoj pe në raport me LDK-në, është e vërtet se në politikë mund të kërkosh
atë që mundesh dhe don, por mund ta marrësh atë që të takon. Shembull pozita e
Vjosës, LDK-në e ka shpëtuar Vjosa Osmani dhe tani paralizohet ajo”, tha Zhinipotoku.
Ngërç në këto negociata ka krijuar
posti i presidentit. Sipas Demirit dhe Zhinipotokut, LDK-ja duhet të heq dorë
nga kërkesa që të marrë presidencën, pasi kjo çështje është e hershme, por edhe
Vetëvendosje duhet të heq dorë nga kryeneçësia.
“Ne presidentin e kemi, kërkesa e tashme për president është e
hershme dhe në këtë kuptim mund ta akuzojmë LDK-në, por në anën tjetër shpërthimi
i një fjalori të padurueshëm të LVV-së me atë që pretendon ta ketë si partner
nuk reflekton që VV-ja si parti që do të qeverisë me vendin ka mundësi të
lirohet nga një fjalor përbuzës në raport me të tjerët. Unë mendoj që
politanizmi politik është një pengesë e VV-së për të bashkëqeverisur derisa një
oportunizëm apo një kërkësë klanore e LDK-së mund të jetë pengesë për arritjen
e qëllimit të përbashkët. Humbjet do të jenë të mëdha nëse nuk do të bëhet, por
edhe nëse bëhet duke mos formuar një qeveri homogjene”, tha Demiri.
“Si parti e dytë LDK-ja do të duhej të ishte e kënaqur me pozitën e
kryeparlamentarit dhe 5 ministrive, le të merren vesh me një pikë për zgjedhjen
e presidentit që do të vie pas 2 vjetësh, por jo të bëhet mollë sherri kjo
pikë. Ata duhet ta dinë se nuk i kanë votat me formu qeverinë ende dhe duhet të
vrapojnë të sigurojnë vota, në vend të kësaj këta janë kapur mes vete. Unë
mendoj se LDK-ja duhet të tërhiqet kësaj here, por edhe LVV nuk duhet të jetë
kryeneçe”, tha
Zhinipotoku.
Zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor e
kanë nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese, duke u pasuar nga Lidhja
Demokratike e Kosovës. Këto dy parti politike, gjatë mandatit të kaluar ishin
në opozitë.