Të teatrin “Adriana” në Ferizaj është
mbajtur koncert festiv organizuar nga kursi i muzikës “Kromatika” në Ferizaj.
Ky koncert që zakonisht mbahet në fundvit, për dallim nga vitet e kaluara këtë
vit ka pasur edhe pika vokale ku fëmijët kanë kënduar këngë të ndryshme të
dëgjuara. Profesor i pianos, Shaban Ratkoceri, tha se ky koncert është më i veçantë
për shkak të pjesëmarrjes së solistit Aunor Zeneli, i cili përfaqësoi Kosovën
në festivalin “Lions World Song” në Poloni gjatë muajit nëntor.
“Ky nxënës tash së fundi ka realizuar një këngë, ka kompozuar një këngë me
të cilën ka marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar në Poloni dhe duhet të ceket
se kjo është për herë të parë që Kosova merrë pjesë në një festival të tillë ku
marrin pjesë mbi 100 shtete. Ky koncert realizohet për fëmijët që kanë talent
në muzikë dhe kanë probleme në të pamurit dhe ky djalë ka arritur që të shkojë
deri në gjysëmfinale dhe kjo është një sukses shumë i mirë si për nxënësin po
ashtu edhe për mua si kompozitor që e kam përpunuar këngën dhe e kam realizuar
dhe jemi shumë të kënaqur që ky nxënës ka arritur të dalë në atë koncert. Jemi
munduar që ne si kurs ta bëjmë një organizim ashtu siç duhet që fëmijët të
ndahen të gjithë të kënaqur, të ndahen të barabartë, që ata të kënaqen në këtë
fundvit, të marrin mirënjohje për angazhimin e tyre, t’u marrin dhuratat për
festat e fundvitit”,
tha Shaban Ratkoceri.
Ai tha se këto lloj koncerte janë
stimulim për muzicientët e ri që të vazhdojnë në të ardhmen në këtë fushë.
“Zakonisht muzicientët ajo që i stimulon më së shumti janë koncertet,
programet e ndryshme muzikore që ata organizojnë. Gjithmonë përgatitjet janë me
një qëllim që ata të dalin dhe të tregojnë aftësitë e tyre, të tregojnë
ushtrimet, meloditë, instrumentalet e tyre që ata i kanë përgatitur për prindërit
e tyre ose për këdo qoftë, për audiencën që e kemi aty brenda në sallë. Është e
rëndësishme të cekim se këtu kemi nxënës të ndryshëm, nxënës të cilët ndoshta
janë me vite në kursin e muzikës “Kromatika”, mirëpo kemi edhe nxënës të cilët
kanë ardhur që një muaj ose dy muaj, mirëpo të gjithë pa përjashtime i kemi
përgatitur për të dalur në koncert që të gjithë të dalin të kënaqur dhe të
gjithë që kanë përgatitur sado pak, një vepër nëse e kanë përgatitur edhe ai të
dalë në koncert”, tha Shaban Ratkoceri.
Sa i përket talentëve të rinj në
fushën e artit, Ratkoceri tha se në Kosovë ka mjaft të tillë, por duhet të
punohet me ta që të mos anashkalohen talentet e tyre.
“Fatmirësisht në Ferizaj dhe në Kosovë në përgjithësi kemi talentë të
shumtë në fushën e muzikës dhe këta talentë duhet që të ndjekin mësimet nëpër
shkollat e muzikës, nëpër kurse të ndryshme kulturore që ata të zhvillohen edhe
më tej me talentin që e kanë. Çdo talent duhet të punohet dhe të zhvillohet që
ai të avancohet në instrument, në vokal apo kudo që të jetë tjetër mirëpo duhet
që të merremi me këta talentë dhe të
punojmë me këta talentë që mos të dalin rrugëve por të punojnë, të ushtrojnë
gjithmonë të kenë aktivitete të ndryshme dhe muzika është drejtimi më i mirë
edhe fusha më e mirë që atyre i bënë mirë direkt në emocionet e tyre, në
sjelljen e tyre. Çdo fëmijë që merret me muzikë ai ka një kulturë ndryshe nga
të tjerët dhe kjo i ndihmon shumë në zhvillimin e tij më gjatë”, tha Shaban Ratkoceri.
Në këtë koncert kanë marrë pjesë 16
solistë dhe interpret të pianos të moshave të ndryshme me 13 këngë të performuara
të cilat janë orkestruar nga Shaban Ratkoceri.