Në fund të muajit shtator komuna e
Ferizajt ka nënshkruar marrëveshje me organizatën ”Caritas Kosova” për
punësimin e stafit mjekësor nëpër institucionet shëndetësore, mirëpo si duket kjo marrëveshje ka rikthyer telashet
e punëtorëve shëndetësor të punësuar përmes kësaj marrëveshje. Ata vazhdojnë të
kenë probleme me paga, madje ka edhe prej atyre që nuk kanë as kontrata pune.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies
Sociale në Ferizaj, Bekim Ademi, tha se nënshkrimi i kontratave ka filluar këto
ditë, kurse për paga njoftoi se në fillim të vitit do t’i kryejnë obligimet
financiare ndaj “Caritas-it” në mënyrë që ai t’ua shpërndaj pagat punëtorëve.
“Këto kontrata janë në përpilim dhe këto ditë janë duke i
nënshkruar, kurse për paga, personeli i cili ka punuar dhe nuk është paguar, me
fillim të vitit, me alokimin e mjeteve që do të bëhet nga Qeveria e Kosovës ne
do të kryejmë pagesat dhe obligimet ndaj operatorit “Caritas” dhe
besoj se edhe “Caritas”-i do të jetë në gatishmëri për pagesën e
këtyre pagave pasi punëtorët tanë nuk do të mbesin asnjëherë pa pagesë për
punën e bërë. Do të jemi të kujdesshëm në këtë pikë, në vitin kur kam ardhë
unë kam gjetur borxhe ndaj punëtorëve,
por nga ardhja ime deri në nënshkrimin e kësaj kontrate punëtorët shëndetësor
që kanë qenë me kontrata në vepër dhe personeli tjetër asnjëherë nuk iu kanë
munguar pagat, kurse tani kujdeset “Caritas”-i dhe pagesat i kryen
“Caritas”-i, por ne do të jemi të kujdesshëm dhe do të kërkojmë nga
operatori që të jetë i kujdesshëm në raport me pagat e punëtorëve tanë
shëndetësor”, tha
Ademi.
Sa u përket mungesës së barnave
dhe materialeve tjera shpenzuese nëpër
qendrat e mjekësisë familjare në Ferizaj, drejtori Ademi tha se ky problem do të marrë fund vetëm atëherë kur
të bëhen sigurimet shëndetësore.
“Është problem t’i pajisim me barna njësitet tona pasi kjo nuk
zgjidhet me buxhetin tonë, kjo zgjidhet vetëm me sigurimet shëndetësore dhe
përderisa nuk bëhet kjo këto telashet për sigurimin e barnave do të jenë në
vazhdimësi, ne jemi kujdesur edhe me buxhetin tonë komunal t’i mbulojmë ato
barna shëndetësore që nuk i ka sjellur Ministria e Shëndetësisë që t’i mbulojmë
me buxhetin tonë, por zgjidhja do të
jetë vetëm në rast se bëhen sigurimet shëndetësore”, tha Ademi.
Duke raportuar për punën e kësaj
drejtorie gjatë këtij viti, Ademi tregoi edhe për projektet që po synojnë t’i
realizojnë.
“Në filim të vitit 2020 ne do të hapim edhe QMF në Dardani, ku në
kuadër të saj pos mjekut dhe stafit infermierik do të jenë të pranishëm edhe
stomatologu dhe laboranti. Po ashtu, i kemi bërë përgatitjet për ndërtimin e dy
qendrave të tjera, njëra në Softaj dhe tjetra në rrugën “Kadri Zeka”,
po ashtu në vitin 2020 kemi marrë vendim që nga viti i ardhshëm të gjithë
fëmijët e sëmurë me diabet do t’iu sigurohen qysh në fillim të vitit insulina,
trakat, reagencat dhe këta fëmijë nuk do të shkojnë më privat për t’i kryer
këto shërbime”,
tha Ademi.
Kurse për sektorin e mirëqenies sociale, drejtori Ademi
tha se për vitin 2020 kanë në plan të krijojnë një fond për mbështetje
momentale, fond ky që do t’u dedikohet viktimave të dhunës në familje, familjeve
që strehojnë fëmijë, e të tjera.