Organizata humanitare “Caritas” e
përbërë nga më shumë se 15 vende të Evropës dhe Lindjes së Mesme për luftimin e
trafikimit të qenieve njerëzore, ka mbajtur konferencë gjatë kësaj jave në
Prishtinë për çështjen e luftimit të trafikimit të qenieve njerëzore. Kjo
konferencë ka mbledhur të gjitha organizatat partnere dhe përfaqësuesit
institucional nga niveli kombëtar dhe evropian. Përfaqësueset e “Caritas
France”, Elnara Petit dhe Genevieve Colas, thanë se qëllimi i këtyre konferencave
është shkëmbimi i përvojave për raste të tilla dhe vetëdijësimi i popullatës për
këtë çështje.
“Të
gjitha organizatat tona në regjione të ndryshme punojnë në terren në vende të
ndryshme, në fshate të ndryshme dhe çdo ditë ata bëjnë parandalimin e
trafikimit të qenieve njerëzore, ata rrisin vetëdijësimin e kësaj çështje edhe
në shkolla se cilat lloje të trafikimeve njerëzore mund të ndodhin dhe ekzistojnë
nënregjione, ata ashtu edhe i konfiskojnë viktimat dhe marrin masa mbrojtëse
duke iu ofruar strehë afatgjate për mbrojtjen afatgjate të viktimave, ata
gjithashtu punojnë edhe me njësitë e zbatimit të ligjit të cilët e zbatojnë
sistemin e identifikimit dhe gjithashtu është edhe sistemi se si të punojmë së
bashku me ministri të ndryshme, organizata të ndryshme që quhet mekanizëm
referues, kështu që nëse unë e identifikoj viktimën e di se ku ta referoj dhe
me kënd duhet të punoj”, tha Elnara
Petit, përgjegjëse e projektit për zhvillim në Evropën Lindore.
“Kjo konferencë ka qenë shumë e rëndësishme për ne, ne jemi 15 vende të
cilat punojmë së bashku që 9 vite dhe ishte shumë e rëndësishme të jemi këtu në
Kosovë, të shohim se çfarë kemi bërë gjatë këtyre 9 viteve, cili ishte ndikimi
i punës sonë, të luftojmë kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe të bëjmë
parandalimin dhe të punojmë me viktimat”, tha Genevive Colas, koordinatore e rrjetit “Kundër
trafikimit të qenieve njerëzore” në Francë.
Ndërkaq, Jakup Sabedini, përfaqësues
i ”Caritas”-it në Kosovë, tha se kjo konferencë i është kushtuar ditës
ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
“Ky bashkëpunim ka konsistuar këtu në Kosovë me konferencën ndërkombëtare
që e kemi pasur në nivel nacional, pra edhe ndërkombëtar, ku kanë marrë pjesë
përfaqësues të institucionevce nacionale këtu në Kosovë, gjithashtu edhe ndërkombëtare
për të prezantuar dhe i është kushtuar ditës ndërkombëtare të të drejtave të
njeriut”, tha Jakup Sabedini.
“Caritas Kosova” është themeluar në Ferizaj në
vitin 1992 dhe që nga dhjetori i vitit 2016 ka punësuar 600 njerëz në
institucione të ndryshme, ndërsa ka mbi 400 vullnetarë në pesë zyra rajonale në
Prishtinë, Prizren, Gjakova, Mitrovicë dhe Leposaviç.