Mëngjesin e sotëm Shqipëria është goditur
nga një tërmet i fortë me magnitudë 6.4. Nga ky tërmet i fuqishëm humbën jetën
dhjetëra persona, e shumë të tjerë u lënduan. Për t’iu dalë në ndihmë viktimave
të tërmetit, Ushtria dhe Policia e Kosovës u nisën për në Shqipëri mëngjesin e
sotëm.
Një aksion për të ndihmuar shqiptarët
ka ndërmarrë edhe shoqata bamirëse nga Ferizaj “Feniks” dhe marketi “Eli-Ab”.
Kryetari i shoqatës
“Feniks”, Milaim Jashari, thotë se bashkë me marketin “Eli-Ab”,
kanë grumbulluar fonde për ndërtimin e dy shtëpive për viktimat e tërmetit në zonën e Durrësit.
“Ne morëm vendim që një familje ta rehatojmë me shtëpi, por biseduam
me Basrien e ”Eli-Abi”-it dhe ai e ka marrë një shtëpi dhe kështu
përfundimisht dy familje do të bëhen me shtëpi nga “Feniks”-i dhe ”Eli-Abi”,
pika kontaktit për t’u dalë në ndihmë është shoqata “Feniks” me numrin
044-172/843. Ne do të fillojmë dhe kryesia e shoqatës vendosi nesër me shku në
Shqipëri për me pas kontakte me ta dhe me shiku që me fillu menjëherë. Ky
popull ka qenë gjithmonë solidarë dhe do të dalë solidarë për t’u dalë në
ndihmë vëllezërve tanë që janë atje“, tha Jashari.
Jashari u bëri thirrje qytetarëve të
kontribuojnë në mënyra të ndryshme për të ndihmuar Shqipërinë nga kjo fatkeqësi.
“Kërkoj nga ky popull që t’iu dalim në ndihmë vëllezërve tanë atje
që kanë nevojë për ne. Kush ka dëshirë që t’iu ndihmoj atyre familjeve pika e kontaktit
është shoqata ”Feniks”, u shpreh Jashari.
Tërmeti i parë i fuqishëm i
magnitudës 6.3 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte
epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri
të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër
tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4. Një tjetër
tërmet i fuqishëm me magnitudë prej 5.0 u shënua në Shqipëri në orën
14:10. Shqipëria edhe dy muaj më parë
është goditur nga një tërmet me një magnitudë 5.8 gradë të shkallës Rihter dhe
intensitet 7.5 ballë. Ai u konsiderua si më i madhi i regjistruar në 20-30
vitet e fundit. Ai tërmet u pasua nga të paktën 350 lëkundje me një intensitet
më të ulët. Tërmeti i cili goditi Shqipërinë në mëngjesin e së martës, është më
i fuqishmi që ka goditur Shqipërinë që nga viti 1926.