Në vitin 2016 banorët e fshatit Greme
të Ferizajt dhe fshatrave përreth i ishin gëzuar nisjes së ndërtimit të çerdhes
në këtë fshat. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar tri vite, fëmijët e këtij fshati ende
nuk po kanë mundësi ta shfrytëzojnë këtë objekt ani pse ai është i finalizuar,
mirëpo mosfunksionalizimi i tij ka bërë që ai të mbetet bosh tash e sa vite.
Banorët thonë se ky fshat ka shumë
nevojë për një çerdhe marrë parasysh faktin se në të jetojnë rreth 10 mijë
banorë.
“Kjo ka qenë dashur të hapet qysh herët, jemi duke pritur, mirë ka
qenë me u hap,ka banorë shumë e ka
fëmijë shumë, do të ishte një lehtësim për të gjithë, sa më shpejt që hapet
është mirë, nuk e dimë pse nuk po e funksionalizojnë, e gjitha është e gatshme“, tha Shabi Murseli, banor i
fshatit Greme.
“Keq boll, me pas qenë e hapur i kishim sjellë fëmijët”, tha
një banor tjetër.
Një tjetër objekt i dedikuar për
çerdhe e që ka mbetur i pafunksionalizuar është edhe në qytet, tek ish tregu i
kafshëve. Qytetarët, duke hezituar të flasin para kamerës, thanë se që 5 vite
janë duke e pritur funksionalizimin e kësaj çerdhe objekti i së cilës tani ka
filluar edhe të amortizohet.
Për mosvënien në punë të këtyre dy çerdheve,
drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, arsyetohet se ministritë e
linjës nuk po lejojnë rritjen e numrit të punëtorëve që do të punësoheshin në këto
institucione.
“Fatkeqësia është se nuk kemi mundur t’i funksionalizojmë për shkak
të numrit të kufizuar të angazhimit të edukatoreve nëpër këto çerdhe. Drejtoria e Arsimit në Ferizaj
ka 1 mijë e 788 punëtorë duke përfshirë punëtorët administariv dhe ndihmës dhe
ai numër nuk mund të rritet në asnjë mënyrë për të bërë ndonjë rifreskim apo
për të bërë funksionalizimin e këtyre çerdheve dhe si rezultat i kësaj ne nuk
po mundemi me i hap çerdhet, ndërsa e kemi shumë parasysh dhe jemi të vetëdijshëm
që kërkesat e banorëve janë shumë të mëdha për sistemimin e fëmijëve të tyre
nëpër çerdhe“, tha
Llabjani.
Llabjani, ka shpresë se qeveria e re
do t’i funksionalizojë këto dy çerdhe, në të kundërtën thotë se do të gjejnë
ndonjë alternativë përmes ndonjë marrëveshje me partneritet publiko-privat.
“Ne do t’i shqyrtojmë edhe këto mundësi, nuk është se nuk kemi punuar në
këtë drejtim, ne kemi pasur model nga vizitat që kemi pasur në komunën e
Prishtinës sepse ata kanë çerdhe me bazë në komunitet, kanë çerdhe me
partneritet publiko-privat, por janë disa procedura të tjera të cilat nuk na
kanë lejuar ta bëjmë këtë gjë, por ne do
t’i mendojmë format dhe alternativat e tjera që së paku këto dy çerdhe t’i
funksionalizojmë pasi janë të gatshme“, tha Llabjani.
Ndërtimi i objektit të çerdhes në
fshatin Greme kishte një kosto rreth 200 mijë euro, kurse ai në rrugën
“Driton Islami” 150 mijë euro, madje për këtë të fundit kishte edhe
një marrëveshje me UNICEF-in që punëtorët e angazhuar të paguheshin nga kjo
organizatë botërore.