Këto tualete nuk janë të ndonjë
shtëpie të vjetër të pabanuar, por janë të shkollës më të madhe të qytetit të
Ferizajt “Gjon Serreçi”, në të cilën vijojnë mësimin mbi 2 mijë
nxënës.
Qëndrimi ne kete shkolle është mjafte
i vështirë nga kundërmimi i tualeteve.
Drejtori i kësaj shkolle Nazmi Heda,
thotë se për këtë gjendje ndër vite i kanë njoftuar organet komunale, por asgje nuk eshte ndërmarrë. Ai thotë se nëse vazhdojnë të shpërfillen
kësisoj, vitin e ardhshëm nuk do të nisin fare mësimin.
“Në pushimin veror bëhen
përgatitjet teknike, por përveç pastrimit asgjë nuk është intervenuar me atë
bindje se edhe këtë vit nuk do të shpenzojmë, por shëndeti i fëmijëve është
shumë më me vlerë se kostoja e renovimit, shëndeti i tyre është i rrezikuar,
sepse përpos nyjeve sanitare kemi edhe dritaret të cilat paraqesin rrezik në
mometin e hapjes për shkak të amortizimit, të gjitha këto i kemi adresuar edhe
në ministri, por nuk po ndodhë asgjë, ndoshta pengesë është dislokimi, por neve
na mbetet shpresë. Në anën tjetër ka reagime të
ashpëra që vitin e ardhshëm shkollor do të vihet në pikëpytje fillimi në
këto rrethana“,
tha Heda.
Në këtë gjendje nuk është vetëm
shkolla “Gjon Serreçi”, situatë e njëjtë paraqitet thuajse në çdo
godinë shkollore të Ferizajt. E, kjo gjendje është duke e shqetësuar edhe
Këshillin e Prindërve të këtij qyteti.
“Në bazë të takimeve që kemi me këshillat e shkollave një nga kërkesat
e tyre janë nyjet sanitare të shkollave se është një problem i përditshëm. Ne
do të mundohemi që në takimet e radhës t’i bëjmë presion më shumë DKA-së që të
merret më konkretisht me këtë çështje, ne jemi të shqetësuar me këtë, por është
shkolla dhe DKA-ja që merren me këto probleme”, shprehet Visar Islami, nënkryetar i
Këshillit të Prindërve në Ferizaj.
Në anën tjetër, në Drejtorinë e
Arsimit në Ferizaj, thonë se kanë angazhuar një kompani e cila është duke
intervenuar gati në të gjitha shkollat.
“Ne përmes operatorit “Shtëpiaku” që e kemi angazhuar këtë
vit jemi duke intervenuar, ne kemi një raport të tyre dhe intervenimet që ka
bërë nga ky raport deri tani është intervenuar në 8 shkolla dhe tani jemi duke
pasur një gjendje më të mirë dhe jemi në proces edhe të shkollave të tjera dhe
po besojmë që deri në fund të këtij viti do të mund të interevenojmë tek të
gjitha shkollat, por po shpresojmë të kemi edhe donatorë siç ka ndodhë në shkollën
e Mirosalës dhe të kemi edhe operatorë të tjerë që ne të bëjmë një zgjidhje
afatgjate për këto tualete dhe mos të kemi këso probleme që fatkeqësisht i
kemi”, tha
Llabjani.
Në komunën e Ferizajt janë 62 objekte
shkollore në të cilat vijojnë mësimet mbi 23 mijë nxënës të nivelit
parauniversitar.