Universiteti i Shkencave të Aplikuara
në Ferizaj në partneritet me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Salzburg,
sot kanë organizuar konferencën “Bashkëpunimi universitet-industri në
inovacion”.
Kjo konferencë ndërkombëtare që u
mbajt në hapësirat e Univeristetit të Ferizajt, u tha se synon të paraqes
boshllëqet ekzistuese dhe masat e nevojshme për forcimin e bashkëpunimit midis
universiteteve dhe industrisë në Kosovë.
Rektori i Universitetit të Shkencave të
Aplikuara në Ferizaj Agron Bajraktari, derisa tregoi rrugëtimin e Universitetit
të Ferizajt kërkoi nga institucionet
shtetërore që këtë universitet ta trajtojnë si një aset të veçantë.
“Sigurisht kemi edhe boshllëqe, sigurisht që ndërtimi i
partneritetit me industrinë nuk është ai të cilin ne e dëshirojmë, ne
dëshirojmë që partneriteti të rritet edhe më shumë, partneriteti të rritet edhe
me qeverinë. Ne si Universitet i Shkencave të Aplikuara të klasifikohemi dhe të
trajtohemi siç trajtohen universitetet e
shkencave të aplikuara në Austri që kanë ligj ose nene të veçanta të ligjit për
formën e organizimit të mësimdhënies e mësimnxënies“, tha Bajraktari.
Kurse, udhëheqësi i Agjencionit
Austriak për Zhvillim, Gunther Zimmer, tha se ky agjencion do të vazhdoj të
ndihmoj këtë universitet, duke përmendur
edhe projektin ”Alled 2” që, sipas tij, ka për qëllim përforcimin e
ndërlidhjes në mes inovacionit dhe sektorit të afarizmit.
“Bashkëpunimi në mes Universitetit të Shkencave të Aplikuara në
Ferizaj me Universitetin e Salzburgut ka qenë i dobishëm për të dyja palët sidomos për
Universitetin e Ferizajt aq sa tani jemi të gatshëm edhe për jashtë
vendit. Nga studimi i zhvilluar për vitin 2019 shihet qartë ndikimi i këtij
bashkëpunimi trepalësh në mes universitetit, bizneseve dhe shoqërisë civile.
Studentët me idetë dhe punën e tyre jo vetëm që i plotësojnë kërkesat e
biznesit për punëtorë të rinj, por me zhvillimin e ideve dhe proceseve bashkëkohore
ndikojnë në krijimin e vendeve të reja të punës brenda ndërmarrjeve të cilat
deri tani nuk i kanë pasur ato si pozicione të punës. Nga ana tjetër, bizneset
përfitojnë nga idetë e reja të studentëve, qoftë për organizimin e brendshëm të
ndërmarrjes, qoftë edhe për produktet apo shërbimet e reja te cilat më pas implementohen
si produkte vetanake të ndërmarrjeve”, tha Zimmer.
Përfaqësuesi i projektit ”HERAS”,
Aqim Emurli, tha se bashkëpunimi me këtë universitet nuk do të ndalet.
“Është kënaqësi me qenë këtu me ju. Ështe kënaqësi të përkrah një
iniciativë të tillë dhe unë mendoj se ky lloj bashkëpunimi në mes nesh nuk do
të jetë aktiviteti i fundit. Ne kemi synim të vazhdojmë me projekte dhe këtë do
ta bëjmë edhe në të ardhmen”, tha Emurli.
Kurse, udhëheqës të ekzekutivit
ferizajas, thanë se Ferizaj ndjehet i
plotësuar që ka Universitetin e
Shkencave të Aplikuara.
“Biznesi gjen dhe qan rrugët e veta, ne si institucione publike
duhet të krijojmë kuadro në harmoni me kërkesën dhe ofertën e tregut. Ky
universitet po e bënë punën e vet më së miri, ashtu siç i takon dhe Ferizaj
tashmë ndihet një qytet i plotësur me këtë universitet“, tha Naim Ferati, nënkryetar i
Ferizajt.
Në këtë konferencë ndërkombëtare u
tha se një arritje e madhe e këtij universiteti është rritja e numrit të
studentëve dhe programeve të studimit. Nga 112 studentë që kishte në vitin 2006,
tani ky universitet ka mbi 2000 studentë
që ndjekin studimet në 9 programe.