Ka kohë që pusetave në fshatin Pleshinë
dhe Dubravë të komunës së Ferizajt, iu mungojnë kapakët. Për të minimizuar
rrezikun, banorët e këtushëm janë detyruar që aty të vendosin goma të makinës
për alarmim të rrezikut. Banorët thonë se kjo gjë paraqet rrezik, mirëpo për
rregullimin e saj nuk po brengoset askush.
“Problemi nuk është aq i madh, por
edhe i vogël nuk është, sepse është problem për ta parë, mundet ndokush të ketë
pasoja aty. Ata që janë kompetentë, kryetari i fshatit duhet të merret me këtë,
por nuk merret, nuk janë duke punuar. Ka mundur ta marrë ndokush kapakun e
pusetit, ta shes për hekura, por tash ku e dimë, nuk e dimë kush e ka vendosur
gomën vetëm e shoh këtu, nganjëherë nuk është po nuk di gjë”, tha Ali Mustafa.
“Kapakun e ka vjedhur ndokush aty dhe
tash ka mbetur ashtu, nuk mund të merr askush përgjegjësi vetëm nëse ndokush e
rregullon vet. Ka dy muaj që është kështu përafërsisht”, u shpreh Ilmi Karaliu.
“Kësaj pusete ia vodhën kapakun
dhe askush më nuk është interesuar ta kap grabitësin apo të zëvendësohet. Edhe
po mbyllet ai gypi sepse kapaku nuk është, po hedhin gjithçka”, tha Muhamet Bakolli.
Televizioni Tema ka kontaktuar me
drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në Ferizaj, Arben Halili, i
cili përmes një mesazhi elektronik tha se ”pusetat
janë probleme të përditshme si rezultat edhe i dëmtimeve dhe i vjedhjeve të
kapakëve edhe problemeve tjera që janë trashëguar gjatë punimeve të pusetave, gjatë instalimeve të
kanalizimeve si gjatë asfaltimit të rrugëve”.
Megjithatë, ai nuk theksoi se a do të
merren masa për këtë problem.