Zgjedhjet e 6 tetorit e renditën
LDK-në si partinë e dytë në nivel vendi, por jo kënaqshëm doli kjo parti edhe në
Ferizaj. Nga dega e këtushme ky subjekt nuk do ta ketë asnjë deputet në
Kuvendin e Kosovës. Sahit Krasniqi, ish-anëtar i kësaj partie, tregon arsyet që,
sipas tij, sollën këtë rezultat.
“Problemi është te Muharrem
Svarqa, të gjithë e dimë që ka qenë kryetar komune dhe i ka humbur zgjedhjet
nacionale në vitin 2017, pastaj edhe zgjedhjet lokale kur ka qenë kryetar dhe
kjo ka ndikuar. Adem Salihaj është demodu pasi që 20 vite sillet e pështillet
emri i tij. Kemi pasur emra të rinj në lista, por më vjen keq të them por jo
gjithkush mund të bëhet deputet, jo vetëm pse e ka një kravatë ose i ka kreh
flokët dhe tash mund të jetë deputet. Deputet mund të jetë dikush që ka krijuar
një bagazh dhe që e njeh qyteti, këtu ka ndodh që ka pas njerëz që kurrë s’kanë
qenë në LDK dhe kjo ka reflektuar. Megjithatë, LDK që konsiderohet si dega e
dytë në Kosovë nga elektorati dhe në Ferizaj as në 2017 as tani besoj që është
një hendikep i madh dhe besoj se LDK duhet të bëj diçka të dalë nga ky qorrsokak
pasi zgjedhjet lokale i kemi shumë shpejt”, tha Krasniqi.
Në anën tjetër, kryetari i LDK-së në
Ferizaj Muharrem Svarqa, që ishte edhe kandidat për deputet, thotë se ata më
shumë u angazhuan për t’i sjellur vota partisë sesa vetës.
“Ne kësaj radhe kemi pasur një praktikë e cila nuk ka qenë e njohur deri
më tani në degën e Ferizajt, pasi asnjëherë më parë LDK në Ferizaj nuk i ka
pasur 7 kandidatë, por realisht ne nuk e kemi mbyllur territorin gjeografik të
degës së LDK-së vetëm për votën e kandidatëve të saj, pasi qëllimi ynë ka qenë
të ruajmë votën e LDK-së dhe fati i LDK-së ka qenë mbi fatin e individëve që
kanë qenë, do të thotë, interesat individuale të kandidatëve për deputetë kanë
qenë minore në raport me interesin e
degës. Megjithatë, LDK e Ferizajt do të jetë e përfaqësuar në Kuvend, sepse ne
kemi një kandidate për deputete e cila është në pritje, po ashtu ka mundësi që
të ketë edhe ndonjë tjetër, megjithatë nuk është vetëm legjislativi vendi i
përfaqësimit të LDK-së, unë besoj se konform fuqisë politike që ka do të jetë e
përfaqësuar edhe në nivele të tjera ekzekutive”, tha Svarqa.
Krasniqi, thotë se LDK e Ferizaj ka
nevojë për rifreskim.
“Unë dhe disa të tjerë që në
një mënyrë kemi qenë të përjashtuar nga procesi brenda LDK-së, ne jemi në
LDK-kontribuojmë për të, e kemi votuar LDK-në dhe do ta votojmë sa herë të ketë
zgjedhje, por do të shohim emrat konkret, nuk do të japim votë aty ku nuk
meritohet. LDK në Ferizaj duhet të kthjellet nëse dëshiron me iu qëndru në ballë
oponentëve politik ose nëse dëshiron me
udhëheq ndonjëherë me Ferizajn”, shprehet Sahit Krasniqi.
Kurse, Muharrem Svarqa thekson se do të
punojnë në faktorizimin e mëtejmë të LDK-së në këtë qytet.
“Ne gjithçka që shohim duhet shikuar përpara, ne nuk mund të mbesim
peng i së kaluarës, ne duhet të punojmë
për forcimin e mëtejmë të LDK-së, unë besoj se faktorizimi i mëtejmë i Ferizajt
do të jetë një nga prioritetet edhe të forcimit të degës së LDK-së edhe përmes
formave të tjera të ristrukturimit dhe riorganizimit të mëtejmë, ne do të
përgatitemi për zgjedhjet lokale menjëherë pas konstituimit të organeve
ekzekutive të Kosovës”, tha Svarqa.
Në zgjedhjet e 6 tetorit, LDK në
Ferizaj u radhit e treta me 12.865 vota.