Nën organizimin e Qendrës Këshilluese
“Këshillimi”, në Ferizaj është mbajtur konferenca me temën
“Nëntori-muaj i vetëdijësimit kundër substancave narkotike”. Me këtë
rast, drejtoresha e Qendrës Këshilluese “Këshillimi”, Arjeta Musliu, duke folur rreth kësaj qendre, tha se hapja e saj ishte domosdoshmëri e kohës.
“Që 3 muaj që funksionojmë si qendër këshilluese kemi pasur afër 150
raste që kanë frekuentuar qendrën tonë dhe kanë kërkuar ndihmë vullnetarisht
për të hequr dorë nga substancat narkotike. Kjo është këmbanë alarmi për
shoqërinë tonë, nuk mund të krenohemi që kemi kaq shumë raste, por jemi tejet
krenarë me punën tonë vullnetare me aq përkushtim që po bëjmë ndaj këtyre
individëve që janë të varur nga substancat narkotike. Qendra jonë të gjitha
shërbimet i ka falas duke pasur edhe përdorues të komuniteteve që jetojnë në
Kosovë ku dominon gjinia mashkullore, madje kemi arritur që ata që kanë ardhur
në fillim të hapjes së qendrës sonë, tani janë në fazën më të mirë për të hequr
dorë plotësisht nga përdorimi i substancave narkotike, duke shërbyer edhe si
vullnetarë në qendrën tonë sa që janë familjarizuar me këtë qendër si shtëpia e
tyre e dytë, duke e gjetur shpresën dhe rikthimin në familje, shkollë dhe
shoqëri”, tha
drejtoresha Musliu.
Ndërsa, Migjen Amzai, ekspert i psikoterapisë,
foli për përvojat e të punuarit me këtë kategori të njerëzve.
“Mundohem t’ua qëndis në zemrat e tyre, mundohem t’ua qëndis në
përditshmërinë e tyre fjalën të dua, fjalën e dua, fjalën më do, sepse kjo
është ajo që ju ka munguar. Dy përqafime
që pata nga dy djem pas takimit me grup nuk i harroj kurrë, njëri filloi të
qajë edhe tha kurrë se kam përjetuar këtë, imagjinoni unë jam një person i
panjohur për atë, unë jam i huaj për atë, çfarë tregon kjo, tregon që nuk i
duan prindërit këta fëmijë, tregon që
janë të lënë pas dore, nuk ka prind që nuk e do fëmijën e vet, mirëpo ka diçka
në dinamikën familjare që nuk shkon, sigurisht edhe në takimet në grup kjo
është shumë evidente, sepse prindi gjithmonë duke u fokusuar në të.
E dini si është fëmija, fëmija është çfarë t’i ushqesh fëmijës, fëmija me atë
do të rritet, fëmija atë do të marrë, atë do të kërkoj prej teje. Prindërit
zakonisht që pak më dominant, pak më patriarkal, pak më urdhërdhënës dhe nuk
pranojnë këshilla nuk pranojnë as të diskutojnë për tema, as nuk i dëgjojnë
fëmijët bile në shumicën e rasteve, në këto raste femijët edhe kur t’i thuash
mos se do vritesh, do sëmuresh, do bëhesh, fëmija këto i do dhe kështu fëmija rritet,
zhvillohet, besoj që fillimi është ky, mënyra se si ne i flasim fëmijëve tanë“, u shpreh Amzai.
Ndërkaq, kryetari i Ferizajt, Agim
Aliu, tha gjatë kësaj konference se së
bashku mund t’ia dalim në parandalimin e
kësaj dukurie negative.
“Drogat janë kërcënimi ynë, shteti ka detyrën të jetë në krye të
kësaj lufte, ajo nuk është as diagnozë, as lojë fjalësh, as lemeri në kthinat e
spitaleve e mantelbardhëve, por dhembje që pllakos gjithë shpirtin, plagë që
kullon në çdo pore të shoqërisë e për të cilën lypset që pa kursim me
profesionistë e vullnetmirë ta vëmë në binarët e eliminimit këtë farë të keqe
që mbinë vdekje, fatkeqësi, pikëllim e pafuqi. Unë jamë luftëtar bashkë me ju,
çdo armë në duart e mija është edhe e juaja kundrejt narkotikëve që helmojnë
fëmijët tanë”,
tha në mes tjerash kryetari Aliu.
Gjatë diskutimeve në këtë konferencë
u kërkua themelimi i qendrave rehabilituese për përdoruesit e drogave, si dhe
angazhim më i madh institucional dhe shoqëror për të parandaluar këtë dukuri
negative.