Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik në
Ferizaj, gjatë ditës së sotme ka bërë shpërndarjen e disa pajisjeve dhe mjeteve
të punës për bizneset përfituese, projekt ky i implementuar në kuadër të Fondit
të Punësimit.
Drejtori i Zhvillimit Ekonomik Zekir
Bytyçi, tha se janë gjithsej 38 përfitues të këtij projekti, ndërsa sigurimi i
këtyre pajisjeve për prodhuesit do të ndihmoj ne krijimin e vendeve të punës.
” Sot komuna e Ferizajt ka shpërndarë pajisje dhe mjete të punës për 15 biznese nga
projekti Fondi i Punësimit, ku me anë të këtyre pajisjeve do të gjenerohen
vende të reja të punës. Nga kjo bizneset
të cilat kanë aplikuar kanë shprehur gatishmërinë që do të punësojnë mbi 150
punëtorë. Numri i përfituesve është 38 përfitues që kanë marrë pajisje ku sot
ka qenë faza e parë, ndërsa faza e dytë do të shpërndahet gjatë këtij muaji“, tha Bytyçi.
Një ndër përfituesit e këtyre pajisjeve
është Mehdi Vehbiu nga fshati Prelez i Jerlive, i cili tha se tani do ta
zgjeroj biznesin e tij.
“Kam apliku për një kompresor, thithëse për pluhur, një sharrë dhe
jam përiftues i këtyre, e falënderoj komunën për këtë. E kam një biznes individual
mobileri, por do ta bëj firmë më të madhe, më obligohej që t’i dërgoj diku tjetër
me i kry do punë dhe tani i kam të mijat, në pranverë mbaj shpresë me
zgjeru”,tha
Vehbiu.
Por, jo të gjithë përftuesit e këtij
projekti u ndanë të kënaqur. Bajrush Musa nga fshati Varosh, thotë se nuk i
pranon këto pajisje meqë, sipas tij, janë jokualitative.
“Kam bërë kërkesë dhe e kam fitu këtë grant, kam bërë kërkesë për
një kompresor të ajrit, disa brusalica që janë mjete të punës, e kemi bërë
ofertën tek firma “Kneta” dhe jam përfitues i 3.720 euro kurse këta
na i kanë pru të gjitha mjetet e Kinës
që unë i refuzoj, nuk i marr dhe kisha dashur me i pyetë a na i kanë dhënë me
na kry punë a po na i kanë dhënë këto ndihma me na i qorru sytë, unë i refuzova
dhe nuk jam i kënaqur asapak, këto nuk na kryejnë punë aspak, unë këto ditë i kam dërgu për hekura disa burmashina
që nuk më hynë në punë dhe të këta janë kanë sikur ato që i kam gjuajtur, tha Musa.
Këtij refuzuesi të pajisjeve i’u
përgjigj drejtori Bytyçi.
“Sigurisht që të gjithë ata që kanë aplikuar kanë kërkuar pajisje që
u janë nevojitur dhe ne u kemi ofruar të gjitha ato pajisje falas, asnjë centë
nuk kanë participu, edhe pse në thirrje ka qenë participimi. Gjithmonë ka në
mesin e atyre që nuk i përshtatet kërkesa, por ne do ta rishqyrtojmë se a
është çështja tek kualiteti i duhur,
edhe pse sa kam unë informata të gjitha ato pajisje janë të ofruara me garancione
përkatëse“, tha
Bytyçi.
Këto pajisje për 38 përfitues,
buxhetit të komunës së Ferizajt i kanë kushtuar 150 mijë euro.