Pjesës së mbetur të rrugës së
paasfaltuar që lidh fshatrat Manastirc dhe Zaskok, siç duket po i vie fundi.
Shpresë për këtë dha sot drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Arbër Bytyqi.
“Njëra nga pikat e rendit të ditës ishte edhe kjo pikë e cila do të
zgjidhë problemet me pronat në atë pjesë, gjegjësisht në zonën që lidh fshatin
Manastirc me fshatin Zaskok, po besoj që pas kalimit të afateve ligjore ju e
patë që votat e kuvendarëve sot ishin që të aprovohet si pikë e rendit të
ditës, ndërsa ne tash duhet t’i presim edhe afatet ligjore nga Ministria,
gjegjësisht nga MAPL-ja, dhe po shpresoj që edhe kushtet atmosferike t’i kemi
në favorin tonë dhe ta zgjidhim edhe atë problematikë që është në atë zonë, të
përfundohet edhe ai segment i shkurt prej 300 metrave në fshatin Manastirc dhe
ato 3-4 shtëpi sa janë në atë pjesë të kenë kushte më të mira të jetesës”, tha drejtori Bytyqi.
Më tej, drejtori Bytyqi tha se në mungesë
të vullnetit të banorëve për të liruar pronat e tyre, janë detyruar të ndjekin
procedurat ligjore.
“Ka munguar vullneti i banorëve të asaj zone që ta lirojnë pjesën
për interes të përgjithshëm dhe ne jemi detyruar që t’i përcjellim procedurat
ligjore, sot jeni dëshmitarë që këto procedura vetëm po i japim drejtim me
miratimin e Kuvendit të Ferizajt dhe po besoj që edhe MAPL-ja do ta kthejë një
vendim në favor tonë dhe pas përfundimit
të këtyre ne do të vazhdojmë procedurat tjera që janë të parapara në bazë të
ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, afati është 15 ditor që duhet të
pritet konfirmimi nga ministria për ligjshmërinë e rendit të ditës po
shpresojmë që pas përfundimit të këtij
afati të kemi edhe kushtet e mira atmosferike dhe të mund të vazhdojmë më tutje
me asfaltimin e atij segmenti të rrugës”, u shpreh drejtori Bytyqi.
Ky segment rrugor bën pjesë në
projektin e unazës së jashtme rrugore të Komunës së Ferizajt që lidh fshatrat
Prelez i Jerlive, Kosinë, Llojza, Dremjak, Nerodime, Manastirc, Zaskok, Greme.