Mbrëmjen e së dielës një pjesë e kafeterisë
“N’dritare” në Ferizaj, mori flakë pas rrëzimit të shtyllës elektrike
nga punimet që janë duke e zhvilluar në projektin ”Bashkimi i Qytetit”, ku
edhe u lënduan disa persona. Pas kësaj ngjarje, pronarët e këtij lokali janë
duke i vlerësuar dëmet, të cilat sipas tyre, po dalin të jenë shumë të mëdha.
Ata thonë se rreziqe nga ky projekt kanë parë që nga nisja e punimeve, madje për
këtë i kanë lajmëruar edhe kompetentët, mirëpo nuk është ndërmarrë asgjë në këtë
drejtim.
“Prej që ia kanë nis punimet
në ”Bashkimin e Qytetit” kemi pasur probleme, trotuari është shembur dy herë
ku janë rrezikuar disa persona, hera e fundit shtylla ku ka pasur flakë të
madhe, klientët janë tmerruar, unë kam qenë këtu, është bërë panikë e madhe,
neve na kanë interesu vetëm klientët me qenë mirë, i kemi larguar shpejtë dhe
më pas edhe kanë ardhë zjarrfikësat ku kanë intervenuar. Me rrymë çka ka pasur
janë djegur të gjitha, vetëm një miksetë e thjeshtë që e kemi është në vlerë
prej 1 mijë euro e pajisjet e tjera, ne e kemi paralajmëruar komunën e
punëkryesit, por nuk kanë marrë masa për me parandalu këtë përveç vendosjes së
disa mbrojtëseve të lehta që s’kanë kry punë asgjë”, tha Hamdi Salihu.
Për humbjet financiare që po u
shkaktohen nga punimet në projektin ”Bashkimi i Qytetit”, udhëheqës të këtij
lokali kanë angazhuar një avokat, i cili ka dorëzur një padi për këtë.
“Ne kemi parashtruar një padi më herët, para se me ndodhë kjo, padinë
e kemi bërë vetëm për kompensim të dëmit
në emër të fitimit të humbur brenda kësaj kohe, sepse këtij lokali afarist i është
bllokur komplet rruga me rrënimin e trotuarit dhe ka mundur të sanohet ajo,
sepse ka qenë rrënimi vetëm para lokalit dhe po të bëhej sanimi nuk do të vinte
deri tek kjo, tash meqë çështja e kompensimit është rritë ne do ta bëjmë edhe
zgjerimin e saj në aspektin e dëmeve materiale. Rrënimi i parë kur është bërë
ka qenë rrezik një grua me fëmijë, plus asaj në kërkesën që ia kemi dorëzuar
komunës për sanim të gjendjes dhe kompensim e kemi paralajmëruar së dëmi mund
të jetë më i madh, poashtu edhe kompaninë punëkryese. Vetë punëtorët e
ndërmarrjes që është duke i kryer punimet, kur e kemi dorëzuar kërkesën më 8
gusht, e kanë paralajmëruar pronarin që
rreziku mund të jetë më i madh, por
pavarësisht këtyre as komuna nuk është përgjigjur, as punëkryesi dhe t’i kishin
marrë parasysh këto paralajmërime tona dhe kërkesën tonë kjo nuk kishte me
ndodhë“, tha
Rexhepi.
E, drejtori i Infrastrukturës në
Ferizaj Arbër Bytyqi, jep versionin e vet.
“Shembjet kanë ndodhur në pjesën më të largët jo në pjesën që
rrezikon hyrjen e lokalit dhe nuk ka pasur shembje të natyrës që mund të
rrezikohet lokali, kurse për pjesën e shtyllës ne kemi kërkuar menjëherë përgjegjësi
nga operatori ekonomik dhe operatori ekonomik e ka dhënë arsyetimin e tillë që
ne kemi kërkuar nga KEDS-i të dislokoj shtyllën, por ka hasur në vesh të
shurdhër dhe pas kësaj ka ndodhur edhe rrëzimi i kësaj shtylle, këto janë
konkludime, por që u mbetet organeve kompetente, por është fat i madh që nuk ka
ndodhur aksident me përmasa të mëdha,
por vetëm dëme materiale të vogla që mund të rregullohen pa telashe të
mëdha“, tha
Bytyqi.
Për të gjitha këto, Prokuroria e
Ferizajt tashmë ka nisur hetimet. Përmes telefonit, kryeprokurori i Prokurorisë
Themelore në Ferizaj Shukri Jashari, i tha Televizionit Tema se pas përfundimit
të hetimeve do të ngritet aktakuzë për shkaktim të rrezikimit të përgjithshëm
dhe dëmtim ose asgjësim të instalimeve publike.
“Punëkryesi i cili ka punuar te nënkalimi e ka heq dheun dhe e ka
dobësu stabilimentin e shtyllës elektrike, edhe pse kanë qenë të informuar edhe
KEDS-i, edhe Komuna nëse nuk gaboj ka qenë e informuar me shkrim, nuk ka
ndërmarrë veprime, as Kuvendi Komunal me obligu punëkryesin dhe ta shohim edhe
KEDS-i a ka pas obligim me ndërmarrë ndonjë veprim. Gjithsesi në bazë të
provave që grumbullohen besoj se do të ngritet edhe aktakuzë për dy vepra
penale, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe shkaktim ose asgjësim i
instalimeve publike, e për momentin varet se kur kryhen veprimet hetimore, në
momentin që kryhen hetimet lënda vjen në Prokurori dhe besoj se do të ngritet
edhe aktakuzë, jo që besoj, por që jam i bindur qind për qind”, tha Jashari.
Projekti ”Bashkimi i Qytetit” po
del të jetë problematik. Nga punimet që po zhvilloheshin për këtë projekt, në
ditët më të ngrohta të verës pothuajse i gjithë qyteti i Ferizajt kishte mbetur pa ujë, për shkak të
prishjeve që ishin bërë në gypin kryesor të ujësjellësit.