Connect with us

Ferizaj

LDK kërkon që për gjendjen e klubeve sportive të debatohet në Kuvend

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj, po kërkon që për problemet me të cilat po ballafaqohen klubet sportive në Ferizaj, të debatohet në Kuvendin Komunal. Kështu, në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa, Burim Karameta nga LDK- ja, kërkoi që në seancën e ardhme të Kuvendit të diskutohet për gjendjen e klubeve sportive, konkretisht për klubin e futbollit “Ferizaj” dhe deklaratën e investitorit anglez ku përmendet garantimi i tokës komunale.

“Po e shohim se gjendja e sportit në Ferizaj nuk është e mirë, ka pasur shumë shkrime, deklarata, dyshime të shumta për ndonjë keqpërdorim apo edhe kapërcim të kompetencave edhe nga kryetari, kështu që kisha dashur që një ndër pikat e rendit të ditës të jetë edhe çështja e sportit ferizajas“, tha Karameta.

Por, drejtoresha e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit Xhemile Murati-Shabani, tha se nuk është e arsyeshme të diskutohet në Kuvend për këtë çështje, pasi komuna nuk mban përgjegjësi për klubet private.

“Klubet të cilat janë private nuk është se mban përgjegjësi komuna për ta, megjithatë për klubet që janë OJQ ne veçse e kemi  kodin e veçantë me subvencione që i kemi përkrahur dhe po vazhdojmë t’i përkrahim, prandaj nuk e shoh të arsyeshme që të jetë pikë e rendit të ditës“, tha Murati-Shabani.

Më pas debati për këtë çështje vazhdoi në mes Karametës dhe anëtarit të PDK-së Arian Imeri, i cili është pjesë e këtij klubi. Edhe Imeri tha se klubi i futbollit  është kompani private dhe nuk ka arsye të disktutohet në Kuvend për të.

“Mos insisto drejtoreshë shumë se ti nuk je përgjegjëse  për situatën e krijuar, ka persona që janë pjesë e qeverisë dhe persona që janë pjesë  e partisë politike që qeverisë me pushtetin dhe ka anëtarë të këtyre grupeve sportive që janë pjesë edhe e Kuvendit Komunal dhe janë këta persona që kanë shkaktuar këto probleme.  Ne e dimë që tentativat për me privatizu klubin e futbollit si duket kanë hasur në vështirësi dhe tejkalim të kompetencave. As ata që e kanë marrë me subvencionu, po as kryetari i komunës nuk ka të drejtë me u premtu dhënie të tokës në shërbim ose me ua falë këtyre kompanive private”, tha Karameta.

“Ne të gjithë e dimë që asnjë klub nuk është në pronësi të komunës, shumica e tyre janë ose OJQ ose të privatizuara, prandaj unë nuk e shoh cila është kompetenca e Kuvendit me diskutu për një kompani private. Shumica e klubeve sportive kanë obligime ndaj njerëzve dhe asnjëherë nuk merret në përgjegjësi komuna, tek rasti i Klubit të Futbollit ”Ferizaj”, kanë qenë 55 mijë euro borxh kur është privatizuar dhe përderisa nuk mban përgjegjësi komuna për obligimet e këtyre klubeve atëherë edhe me ligj në njëfarë forme nuk është komuna titullare. Sa i përket tokave, çfarëdo rasti nëse ka, ne e dimë ligjin për dhënien e tokave komunale  nëse ka me pas një marrëveshje ose nëse ka, e gjitha do të kaloj përmes Kuvendit Komunal dhe nuk kemi nevojë me u shqetësu, në momentin që vie një kërkesë e tillë ne kemi me diskutu në Kuvend”, tha Imeri.

Pavarësisht këtyre diskutimeve, propozimi i Karametës nuk mori miratimin e anëtarëve që kjo çështje të diskutohet në mbledhjen e Kuvendit.

Një tjetër pikë që u diskutua para procedimit për Kuvend ishte vendimi për aprovimin e statutit të Muzeut të Kujtesës, ku Imri Hashani nga LDK, u interesua të dijë se sa do t’i kushtojnë buxhetit të Komunës  të punësuarit që do angazhohen në këtë institucion.

A ka një llogari të përafërt sa do t’i kushtoj ky Muze i Kujtesës Kuvendit Komunal, se thuhet se mjetet i siguron Kuvendi Komunal dhe thuhet se këshilli drejtues është prej 7 anëtarëve dhe do të paguhen me 50 euro  në çdo mbledhje, po ashtu është edhe drejtori  stafi profesional, stafi teknik, a dihet sa do të kushtoj kjo?”, pyeti Hashani.

“Nuk është bërë një llogaritje se statusi nuk formohet për një vit, por për një kohë të gjatë, ndoshta gradualisht do të funksionalizohen të gjitha pozitat dhe gjatë vitit në vit do të bëhet edhe  sigurimi i mjeteve“, tha drejtoresha e Kulturës.

 Në këtë mbledhje, Komiteti për Politikë e Financa ia procedoi Kuvendit Komunal edhe disa pika të tjera, shumica prej të cilave kane  të bëjnë me shpalljen e interesit  të përgjithshëm të disa ngastrave kadastrale në zona të ndryshme të komunës.

 Po ashtu, ndër pikat e proceduara është edhe propozim vendimi për hedhjen në diskutim publik të draft rregullores për taksa, tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, propozim vendimi për transferim apo ridestinim të mjeteve për vitin fiskal 2019 dhe raporti financiar për periudhën janar-shtator 2019.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Arrestohet për vjedhje të rëndë ferizajasi 20 vjeç

Published

on

Policia në Ferizaj ka arrestuar një 20-vjeçar të dyshuar për veprën penale vjedhje e rëndë.

Ngjarja ka ndodhur më 24 dhjetor, rreth orës 01:45, në rrugën “Ilir Konushevci”, ku nga një veturë u vodh një pistoletë, 21 fishekë dhe disa gjësende tjera.

Pas hetimeve dhe analizimit të kamerave të sigurisë, mbrëmjen e 26 dhjetorit, rreth orës 19:00, policia arrestoi të dyshuarin me inicialet E.P. në banesën e tij.

Gjatë kontrollit u gjetën fishekët dhe disa sende që i përkisnin viktimës.

“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet mes tjerash në raportin e policisë.

Continue Reading

Ferizaj

Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas, Dr. Abaz Beqa

Published

on

Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas Dr. Abaz Beqa.

Njoftimi u bë nga familjarët e të ndjerit.

Dr. Abaz Beqa përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe specializoi në gastroenterologji dhe hepatologji në Kroaci. Si njëri nga specialistët e plejadës së parë të mjekëve ferizajas , që nga viti 1978, ai shërbeu me përkushtim në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj.

Përveç angazhimit të tij profesional, Beqa ishte aktiv edhe në organizatën e mjekëve të pavarur dhe luajti një rol kyç në organizimin e spitalit për rastet emergjente. Ai gjithashtu dha një kontribut të rëndësishëm në arsim, duke qenë mësimdhënës i hematologjisë për gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj.

Mbledhja komemorative për të ndjerin Dr. Abaz Beqa, do të mbahet të premten, më 6 dhjetor me fillim nga ora 10:30, në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, kurse ceremonia e varrimit do të bëhet në ora 12:00, në varrezat e reja të qytetit.

Continue Reading

Ferizaj

Një muaj paraburgim të dyshuarit për therjen e 4 personave në Ferizaj

Published

on

Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji F.I. që dyshohet se sulmoi dhe theri me thikë katër persona në Ferizaj.

I dyshuari ishte dorëzuar në polici të martën, duke e pranuar sulmin ku si pasojë në mesin e të plagosurve ishin edhe dy fëmijë të moshave 10 dhe 14-vjeçare .

Prokuroria ka thënë se i dyshuari i sulmoi viktimat shkaku i përkatësive etnike pasi që të katër të plagosurit janë të komunitetit RAE.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datën 11 Nëntor 2024, rreth orës 15:30 minuta, në rrugën “Rifat Berisha “ në Ferizaj, me dashje, për shkak përkatësisë etnike, i pandehuri F.I., ka tentuar t’i privojë nga jeta  dy të mitura, pjesëtarë të komunitetit RAE.

I poandehuri i sulmon ato nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave me një thikë kuzhine me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Më tej, Prokuroria thotë se i pandehuri F.I., me datë të njëjtë rreth orës 15:05 minuta në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin N.M., derisa ai ishte duke hyrë në një lokal.

I pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur në pjesën e kokës, të fytit dhe në faqen e djathtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Më pas, rreth orës 15:53 minuta, në rrugën “Halim Spahiu” në Ferizaj, i pandehuri sulmon edhe të dëmtuarin E.A., duke tentuar të privoj nga jeta, duke e goditur me thikë nga mbrapa, në pjesën e shpatullave, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këto sulme dhe plagosje, i pandehuri dyshohet se ka kryer në vazhdimësi veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Continue Reading

Trending