Me shfaqjen “Zona e pritjes” nga regjisori
Fatos Berisha, të ekzekutuar nga teatri i Shkodrës, në teatrin
“Adriana” të Ferizajt, mbrëmë është
mbajtur nata e tretë e Festivalit të Teatrove. Regjisori Agim Selimi tha se
ishte nje shfaqje përplot emocione.
“Një shfaqje shumë e thjeshtë, mirëpo shumë domethënëse, mendoj që
sa e kam parë teatrin e Shkodrës që 20 vite
nuk kam pa shfaqje që ka qenë më me këmbë në tokë dhe më mirë që kanë luajtur
aktorët shkodranë, kjo flet për një bashkëpunim shumë të mirë të një regjisori
kosovar me aktorë të mrekullueshëm të Shkodrës, sepse gjithmonë aktorët e
Shkodrës e kanë një lloj patosi, mirëpo në këtë rast ishin shumë normal dhe përcollën
një mesazh me një thjeshtësi shumë të madhe me mesazh shum të madh për jetën e
rëndomtë”, u
shpreh ai .
Ndërsa, vet regjisori i shfaqjes Fatos Berisha tha se publiku ferizajas e priti shumë mirë këtë shfaqje.
“Ishte shumë interesant për mua, sepse publiku i Ferizajt e priti jashtëzakonisht mirë, jo vetëm që e priti mirë, por edhe ka reaguar saktësisht në ato vende ku ne e kemi planifiku gjatë provave, gjatë punës së procesit që këtu do të duhej të reagonin kështu dhe kjo ka qenë shfaqja më e mira sipas meje nga të gjitha shfaqjet, sepse ne kemi pas shfaqje edhe në Shkodër edhe në Tetovë edhe këtu, edhe ka qenë një publik si të themë super- super e saktë nëse mund të quhet kështu, pra në kuptimin e reagimeve, marrjes si të them të batutës, por edhe në fund m’u duk të duartrokitjes. Unë për vete u ndjeva shumë mirë dhe më vjen mirë, sidomos për trupën e Shkodrës me të cilët me aq sa pata rast të bisedoj pas shfaqjes, ishin jashtëzakonisht të kënaqur me pritjen e publikut në Ferizaj“, tha Berisha.
Rita Gjeka, aktore në këtë shfaqje,
tha se e ka të vështirë të gjej fjalë për
t’i shprehur emocionet që kishte nga pritja e audiencës ferizajase.
“Nuk di me e përshkru, sepse më kapi një emocion shumë i madh, edhe
pse shfaqja është një shfaqje që ndjehemi të relaksuar ne si aktorë sepse
regjisori ka bërë që ne me qenë të parët dhe është gati e padukshme puna e tij
për një sy jo të stërvitur faktikisht pas reagimit të spektatorëve unë nuk kam fjalë,
nuk di as çka të them, kam mbetur kështu si e mpirë, nuk e di nuk e prisja këtë
lloj duartrokitje edhe tash që po më ndalin njerëzit, nuk e di veç duhet me thënë
faleminderit Zotit jemi një, nuk e di, këtu në Ferizaj gjithmonë na ndodhë kjo
gjë”, u shpreh
Gjeka.
Ndërkaq, shfaqja “UN
INSPEKTORI” me regji të Erson Zymberit,
do të jetë shfaqja me të cilën do të vazhdoj nata e katërt e Festivalit
të Teatrove në teatrin “Adriana” të Ferizajt.